Ballkani kërcënon me mbyllje të kufijve

Bullgaria, Rumania dhe Serbia kanë kërcënuar me mbyllje të kufijve, nëse vendet e BE-së ndalojnë së pranuari refugjatë.
Kryeministri bullgar Bojko Borisov ka deklaruar se të tri vendet kanë kërkuar një zgjidhje të shpejtë, transmeton Gazeta Blic.
Kryeministrat e të tre vendeve kanë zhvilluar takim në Sofie, një ditë përpara takimit të thirrur nga shefi i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker.
Fluksi i refugjatëve ka bërë anëtarja e BE-së, Hungaria të mbyllë kufirin e saj me Serbinë dhe Kroacinë, ndërsa së fundmi një kërcënim i tillë është bërë edhe nga Sllovenia.
Borisov dhe homologët e tij, ai serbë dhe romun kanë deklaruar se zgjidhja më e mirë është që bien dakord me vendet tjera europiane për lëvizjen e refugjatëve, megjithatë kanë paralajmëruar se nëse një kërkesë e tillë nuk plotësohet, atëherë ata do të ndjekin shembullin e Hungarisë, transmeton Gazeta Blic.
“Nëse Gjermania dhe Austria mbyllin kufijtë, të njejtën gjë do bëjmë edhe ne,” tha Borisov, pas bisedimeve me homologët e tij rumunë dhe serbë .
“Ne nuk do të lejojmë që vendet tona të shëndrrohen në zona tranziti,” shtoi ai.
Gjatë muajve të fundit, Serbia e cila nuk është anëtare e BE-së ka pritur një fluks të madh refugjatësh, kryesisht nga Greqia dhe Maqedonia, përderisa Bullgaria dhe Rumania nuk është se janë përballur me një fluks të madh refugjatësh. /