Ballkani i ri – Republika Srpska zhbëhet, e shqiptarët privilegjohen

Telashet e shumta me të cilat është përballur rajoni i Ballkanit që shumë vite, do të largohen së shpejti.
Kjo do të ndodh falë një ofensive të fuqishme të Perëndimit, e posaqërisht Gjermanisë, Britanisë dhe Amerikës.
Rezultati që do të shihet në fund, do të jetë kështu: të gjitha vendet do të jenë pjesë e NATO-s e BE-së, serbët do të shndërrohen në një komb paqësor, Republika Srpska do të zhbëhet, ndërsa shqiptarët do të përfitojnë më së shumti, duke shijuar kënaqësitë e jetesës në të gjitha shtetet ku jetojnë.
Ky është konkludimi që ka nxjerr një analizë e gazetës “Blic” nga Beogradi, transmeton Klan Kosova.
Ivan Vejvoda, nga “Marshal Fund” ka thënë se krejt kjo ofensivë bëhet për ta qetësuar njëherë e përgjithmonë Ballkanin Perëndimor.
Zhvillimet më të rëndësishme të kësaj nisme janë farë afër të ndodhin, thotë ai, përcjellë Klan Kosova. E para është vizita e kancerales Angela Merkel në Beograd, Tiranë e Sarajevë, më 8 e 9 korrik, ndërsa e dyta përvjetori i 20-të i masakrës së Srebrenicës.
Sipas Blic, gjermanja do të kërkojë nga Serbia që në fund të bisedimeve me Prishtinës të pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, të distancohet nga presidenti i Republika Srpskës, Milorad Dodik dhe të mos e pengojë forcimin e institucioneve qendrore të Bosnjë e Hercegovinës – me fjalë tjera, dobësimin total të Republika Srpskës.
Në Tiranë, Merkel do të kërkojë nga Edi Rama të qetësojë radikalizmin nacional dhe islamik të shqiptarëve në Maqedoni e Kosovë, ndërsa në Sarajevë do të tërheq vërejtjen për tensionet ndëretnike dhe do të thërrasë që korrupsioni i cili nuk po zhbëhet kurrë, të zëvendësohet me punë serioze drejt integrimit në BE. Blic shkruan se gjermanët do të sponsorizojnë dhe përkrahin ndryshime kushtetuese që kanë për qëllim dobësimin e Srpskas.
Nisma e Merkel, vendi i së cilës mori përsipër çështjen e Ballkanit, qysh më 2012, bëhet me mbështetje të fuqishme të SHBA-së. Britania i bashkohet valles, duke sponsorizuar një rezolutë për Srebrenicën në Këshillin e Sigurimit, që pritet të miratohet në 20 vjetorin e masakrës më të madhe në Evropë, pas Luftës II Botërore.
Jelena Guskova nga Akademia Ruse e Shkencave ka thënë se me këto veprime do të pësojnë Dodik dhe Republika Srpska, që kanë mbetur foletë e fundit të nacionalizmit serb në Ballkan.
Por çfarë në fakt po duan të bëjnë fuqitë e mëdha Perëndimore me popujt dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor?
Sa i përket popujve, përgjigja është kjo:
Serbët – nacionalizmi serb pacifizohet. Serbët në Republika Srpska janë qytetarë të Bosnjës e Hercegovinës, në Mal të Zi ata janë qytetarë të Malit të Zi, ndërsa vetë Serbia “sillet në gjendjen ku nuk mund ta kërcënojë më askënd”.
Boshnjakët – boshnjakët e dominojnë shtetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa në Serbi dhe Mal të Zi kanë të gjitha të drejtat si pakicë. Radikalizmi islamik minimizohet dhe boshnjakët bëhen pjesë e luftës globale për luftimin e terrorizmit.
Shqiptarët – do të jetojnë në disa shtete, do të shpërblehen me shtet në Kosovë dhe të drejta të fuqishme në Maqedoni. Perëndimi ua ka frikën për mundësinë e shpërthimit të nacionalizmit shqiptar, por edhe për shkak të faktit se janë shumë besnikë ndaj Amerikës.
Sa u përket shteteve, përgjigja është kjo:
Serbia – mbetet në kufijtë aktualë, me Preshevën, Sanxhakun dhe Vojvodinën, por pa Kosovën. Është në rrugë të drejtë kah BE-ja dhe bashkëpunon ngushtë me NATO-n. Merr pjesë në mënyrë aktive në luftën globale kundër terrorizmit. Ndikimi i Rusisë është minimal, për të mos thënë simbolik. Ligjet janë në shërbim të kapitalit.
BeH – përgjegjësitë më të mëdha i takojnë Sarajevës, Republika Srpska mbetet vetëm si formë. Boshnjakët janë sekularë, ndikimi i islamit është minimal. Bëhet pjesë e NATO-s dhe ecën mirë kah BE-ja. Në vend të pjesëtarëve të tre kombeve, promovohet termi “qytetarë të BeH”.
Maqedonia – apetitet e shqiptarëve kënaqen, në rast se ka nevojë, edhe me krijimin e një shteti federal që përbëhet edhe nga një republikë e shqiptarëve. Pushteti është liruar nga ndikimi i Rusisë. Është anëtare e NATO-s dhe janë larguar të gjitha bllokadat në rrugën drejt BE-së./Klan Kosova