Baki Kelani paralajmëron Kurtin e Haxhiun: Do t’ju arrestojmë nëse ju shohim në protestë

Autori:Avdyl Pajaziti

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë për Gazetën Blic, se deputetët të cilët kanë fletë-arrest do të ‘kapen’ nga Policia e Kosovës, në momentin që të njëjtit takohen me ta, qoftë në ndonjë ambient tjetër, apo edhe në protestën e 28 Nëntorit.

“Policia e Kosovës është e obliguar në zbatimin e fletë-arresteve të ligjshme, të lëshuara nga organet e drejtësisë dhe është në realizim e sipër të fletë-arresteve tjera për personalitetet që kërkohen dhe në momentet kur takohen të njëjtit do të sillen në Prokurori ashtu siç parashihet në fletë-arreste”, ka thënë Kelani, kur është pyetur se a ka gjasa që deputetët të arrestohen, po qe se shfaqen në protestë.

Ai është shprehur i vendosur se Policia e Kosovës do të veprojë me të gjitha masat për t’ua ofruar një siguri të plotë qytetarëve.

“Policia e Kosovës bazuar në mandatin ligjor që ka, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për ofrimin e sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike dhe do të reagojë konform zhvillimeve dhe situatës e cila mund të paraqitet dhe për këtë ka kapacitete të mjaftueshme policore”, ka thënë zëdhënësi i PK-së.

Kelani më pas, ka folur edhe për atë që u tha se Polica ka përdorur dhunë ndaj protestuesve, në protestën e kaluar.
Siç u shpreh ai, Policia vetëm ka kryer detyrën e saj, duke shpërndarë protestuesit, pas shfaqjes së dhunës. Madje, nuk ka qenë Policia ajo që është paraqitur e dhunshme, përkundrazi sipas tij, protestuesit kanë qenë të tillë.

“Policia e Kosovës do të ndërmerr veprime ligjore ndaj të gjithë personave që bien në kundërshtim me ligjin, dhe që përfshihen në vepra penale. Njësitet policore pas shfaqjes së dhunës nga ana e protestuesve, janë detyruar të veprojnë duke përdorur mjetet e ligjshme policore, me qëllim të shpërndarjes së protestuesve dhe parandalimit të dhunës dhe hedhjes së mjeteve të ndryshme nga protestuesit e dhunshëm dhe nuk është përdorur dhunë ndaj protestuesve, po në të kundërtën disa protestues të dhunshëm kanë shfaqur dhunë të tepruar ndaj policies”, ka përfunduar Baki Kelani.

Opozita ditë më parë, pati organizuar protesta kundër Marrëveshjeve për Asociacionin dhe Demarkacionin, ku pati të arrestuar e të lënduar.

Poashtu, të tri partitë opozitare kanë bërë thirrje për një marsh paqësor, i cili pritet të mbahet me datën 28 nëntor, pikërisht në Ditën e Flamurit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/baki-kelani-paralajmeron-kurtin-e-haxhiun-do-tju-arrestojme-nese-ju-shohim-ne-proteste/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala