Bajrami në Pejë: Universitetet e forta krijojnë shtet të fortë

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 4 vjetorit të themelimit të Universitetit “Haxhi Zeka“ në Pejë, në të cilën ishin të pranishëm edhe rektorët e universiteteve publike, profesorë dhe studentë të këtij institucioni.

Me këtë rast, Bajrami rikujtoi kohën e themelimit të universitetit publik në Pejë.

“Themelimi i Universitetit “Haxhi Zeka“, ka qenë një ngjarje e madhe jo vetëm për qytetarët e Pejës dhe komunave përreth, por edhe për Kosovën, sepse Peja ka pasur traditë të gjatë akademike, ndërsa 4 vite punë të këtij universiteti, rrita dhe sukseset e tij, kanë arsyetuar më së miri vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për themelimin e këtij universitetit”.

Duke folur për sukseset e Universitetit, ministri Bajrami tha se ka ardhur koha që arsimi lartë sidomos universitetet, të bëhen promotorë të zhvillimit ekonomik, të progresit e të demokratizimit të shoqërisë sonë, duke krijuar gjenerata te reja të përgatitura me kompetenca e shkathtësi, që nesër do të ndihmojnë shtetin tonë në arritjen e standardeve evropiane.

Bajrami përmendi edhe faktin se tashmë Ligji Për Arsimin e Lartë është në procedurë të miratimit nga Kuvendi i Kosovës dhe tha se përmes këtij ligji synojmë standarde të larta të cilësisë, rend dhe kulturë akademike. Ndërsa, ai theksoi se edhe Deklarata e Bolonjës promovon parimin e autonomisë së universiteteve.

Ministri i Arsimit porositi edhe studentët që të jenë kërkues për cilësi.

“Të gjithë ne së bashku po punojmë që të jemi pjesë e Bolonjës dhe besoj se këtë do ta arrijmë. Universitetet e forta dhe cilësore krijojnë familje dhe shtet të fortë”, ka thënë Bajrami.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/bajrami-ne-peje-universitetet-e-forta-krijojne-shtet-te-forte/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala