Bajrami i katërt në tendë

Autori:Avdyl Pajaziti

Njazi Asllani së bashku me ish-kolegët e tij po e “festojnë” Bajramin e katërt me radhë nën tendë, larg familjeve të tyre. Sofra me ushqime tradicionale për Bajram nuk është shtruar. Sakrifica e tyre, duke qenë larg sofrës familjare në këtë festë, nuk thotë asgjë për zyrtarët shtetërorë, pasi që askujt nuk i është kujtuar t’i vizitojë ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave, të cilët gati 500 ditë po qëndrojnë në një tendë pranë objektit të Qeverisë.

Disa prej tyre kanë shkuar të falin Bajramin, ndërsa në grupe janë vizituar nga familjarët e tyre.

“Është festa e katërt e Bajramit që po e festojmë në tendë. Ne edhe këtë Bajram vazhdojmë të qëndrojmë larg familjarëve tanë. Festa e ka mallin e vet, por jo edhe kënaqësinë. Ndryshe nga Bajramet tjerë kësaj radhe ne do të bëjmë nga një vizitë të shkurtër familjeve. Për neve është një vështirësi, një jetë monotone në tendë sepse po bëhen dy vjet larg familjes, larg më të dashurve tanë vetëm për një kërkesë, e cila është ligjore”, ka thënë Asllani me lot në sy, i cili shpreson se Festa e Bajramit tjetër do t’i gjejë pranë më të dashurve të vet.

“Shpresoj që kjo të jetë festa e fundit e Bajramit që ne po e festojmë larg familjes, ku vendi ynë tashmë dy vjet në familje është i zbrazët. Kjo për neve është një sakrificë e madhe për një interes të përbashkët, pasi që i mbrojmë interesat e 912 punëtorëve. Besojmë se drejtësia do të vijë një ditë në vend”, ka thënë ai.

Edhe për grevistin Fehmij Mehmeti, festa e kishte humbur kuptimin. Ai rrëfen se malli për nipat dhe mbesat nuk ka të përshkruar, ndërkaq ndihet i zhgënjyer me përfaqësuesit e institucioneve të shtetit, të cilët, sipas tij, nuk i respektojnë vendimet e gjykatave.

“Kur të gjithë janë bashkë duke festuar për Bajram dhe duke uruar njëri-tjetrin për neve është ndryshe – një festë me mallëngjim. Unë së bashku me grevistët tjerë as që kemi shtruar sofër se nuk ka më festa kuptim. Jemi shumë në gjendje të vështirë, as familjen nuk e shohim e as nuk mundemi të shkojmë diku për vizitë. Kam mall për gruan, fëmijët e mbesat. Ne jemi të vendosur se do të qëndrojmë në tendë deri në realizimin e dëshirës sonë pavarësisht të gjithave sepse është e drejtë ligjore. Jam shumë i zhgënjyer me qeveritarët tanë, të cilëve nuk duan të dëgjojnë për kërkesat tona, nuk mendojnë për popull, por veç për interesat e veta. Ata nuk kanë ndjenja”, ka thënë ai.

Pavarësisht lodhjes dhe mallit për familjen shtatë grevistët, të cilët aktualisht janë duke protestuar, thonë se janë të vendosur se do të qëndrojnë në tendë deri në realizimin e kërkesave të tyre, ndërsa kërkojnë nga autoritetet vendore që sa më shpejt ta realizojnë kërkesën e tyre. /Zëri/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/bajrami-i-katert-ne-tende/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala