Bajram Rexhepi: Më pëlqejnë çokolatat, jo karamelet

Autori:Avdyl Pajaziti

I bardhi (Hashim Thaçi) dhe i ziu (Kadri Veseli) kanë nisur “luftën” brenda Partisë Demokratike të Kosovës se kush do t’i mbajë “frenat” e partisë.

Këto dy epitete (i ziu dhe i bardhi) për dy njerëzit kryesorë të partisë, i deklaroi vetë Kadri Veseli, i cili po synon ta marrë drejtimin e PDK-së në vitin 2016 me shkuarjen e Hashim Thaçit në postin e presidentit të vendit.

“Fronti” në mes dy figurave kryesore, ndonëse i ditur, megjithatë u nxjerr në sipërfaqe nga bashkëpartiaku i tyre, ish-kryeministri dhe ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi.

Ky i fundit ka shpërthyer me akuza ndaj ish-shefit të SHIK-ut, Kadri Veselit për kapje të PDK-së dhe institucioneve të Kosovës, duke thënë se ardhja e tij si zëvendëskryetar ka qenë e keqja më e madhe që i ka ndodhur partisë. Këtyre deklarimeve i është kundërpërgjigjur Veseli në formë ironizuese, duke thënë se nuk ka karamele për Rexhepin.

“Në qoftë se jam i ziu, i bardhi kur dëshiron mundet me ba ministër, realisht siç i ka bërë të tjerët”, tha Veseli, duke aluduar haptas në kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçin.

Një ditë pas kësaj deklarate ka ardhur kundërpërgjigja tjetër e ish-kryeministrit Rexhepi. Ai tha se as në kohën e fëmijërisë së tij nuk i ka pasur në qejf karamelet, e sidomos ata të bardhë me të zezë. “Karamelet e bardhë, e të zi, nuk i kam hëngër asnjëherë, as kur kam qenë fëmijë, e lëre më tash. E bajaderat (çokollatat) i pëlqej”, ka thënë Rexhepi me cinizëm në lidhje me karamelet e Veselit.

Ai tha edhe një herë se nëse i dyti i PDK-së e merr udhëheqjen e partisë, atëherë ai do të shkojë në shtëpi.

“Po Kadriu po pretendon dhe po ka qejf me u ba kryetar. Por nëse ai vjen në krye të PDK-së, unë shkoj në shpi”, tha Rexhepi për gazetën “Zëri”. Derisa theksoi se nuk dëshiron të bjerë në nivelin e Veselit, ripërsëriti se pakënaqësitë brenda PDK-së janë të padiskutueshme. “Nuk i di raportet e Thaçit me Veselin, por di se ka pakënaqësi”, tha ish-kryeministri nga PDK-ja./Zëri

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/bajram-rexhepi-me-pelqejne-cokolatat-jo-karamelet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala