Bahtiri: Nëse barrikada nuk hiqet nesër, të mos fillojë as realizimi i marrëveshjeve tjera

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka sqaruar opinionin e gjerë se mos shenjëzimi i kufijve të Mitrovicës është shtyrë për shkak të jo gatishmërisë së palës serbe për të përcaktuar vijën ndarëse të dy komunave të Mitrovicës sipas planit të Ahtisarit.

“E bëj me dije opinionin e gjerë, se unë çdo herë kam qenë i gatshëm që të nënshkruaj marrëveshjen për përcaktimin e kufijve administrativ, ashtu sikur që ishte paraparë me planin e Ahtisarit dhe që ishte miratuar nga Kuvendi i Komunës dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, që e ka miratua Ligjin për kufijtë administrativ komunal. Këtë gatishmëri e kam treguar edhe në takimin e mbajtur të hënën e kaluar në Prishtinë, ku ishin të pranishëm përfaqësuesi i BE-së, Samuel Zhbogar, ministri i MAPH, Ferid Agani, zëvendësministri i MAPL-së, Bajram Gecaj, sekretarët permanent të MAPL dhe MAPH, si dhe përfaqësuesi i Agejncionit kadastral të Kosovës. Mirëpo, ishte kryetari i komunës në veri të Mitrovicës, Goran Rakiq, ai që nuk dëshiron të nënshkruaj këtë marrëveshje, andaj edhe mungoi në takim”, ka thënë kryetari Bahtiri.

Ai tha se kurrë nuk do të jetë pjesë e marrëveshjes për përcaktimin e kufirit administrativ midis dy komunave jashtë planit të Ahtisarit dhe këtë nuk mund ta bëjë askush tjetër, pra as kryetari i komunës në veri të Mitrovicës, Goran Rakiq.

“Duke qenë se kërkesa serbe për përcaktim të vijës ndarëse midis dy komunave, është e pakuptimtë dhe e papranueshme, unë i ftoj përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, e në radhë të parë ata të BE-së, si dhe ata të institucioneve më të larta të Republikës së Kosovës, që t’ia bëjnë me dije Rakiqit se nuk mund të dalë jashtë pakos së Ahtisarit, duke kërkuar që kufijtë të lëvizin në dëm të shqiptarëve, si dhe ta ftojnë që të jetë konstruktiv e i arsyeshëm me rastin e përcaktimit të kufirit administrativ midis dy komunave dhe të kryej obligimin e tij ashtu si duhet, në mënyrë që të mos e tensionoj gjendjen, për stabilizimin e së cilës kemi punuar shumë kohë bashkë dhe kemi arritur sukses të dukshëm”, sqaroi Bahtiri.

Ndërsa, sa i përket fillimit të punimeve për rivitalizimin e urës kryesore mbi lumin Ibër, Bahtiri bëri të ditur se punimet duhet të fillojnë sipas marrëveshjes, më 15 tetor 2015 dhe se nuk ka asnjë arsye të vetme për prolongimin e tyre, sepse një gjë e tillë, nuk do të shkonte në favor të stabilizimit të gjendjes dhe as të përmirësimit të raporteve ndërmjet komuniteteve dhe dy komunave.

“Nëse punimet nuk fillojnë të enjten, më 15.10.2015, që për mua është e papranueshme dhe e pakuptimtë, unë kërkoj nga Qeveria e Kosovës që të mos filloj as realizimi i marrëveshjeve tjera të nënshkruara në takimin e fundit në Bruksel, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Serbisë” theksoi Bahtiri.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/bahtiri-nese-barrikada-nuk-hiqet-neser-te-mos-filloje-as-realizimi-i-marreveshjeve-tjera/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala