Babai i hakerit të ISIS-it: Jemi pro Amerikës (Video)

Autori:Avdyl Pajaziti

Babai i Ardit Ferizit i cili u arrestua në Malajzi nën akuzat se ka hyrë në mënyrë të paligjshme në sistemin kompjuterik të një kompanie ,amerikane duke marrë të dhëna personale të më shume se 1,300 pjesëtarëve të Ushtrisë amerikane dhe të Qeverisë federale që ia ka dhënë Shtetit Islamik, pranoi që i biri ka pasur probleme edhe më parë për krime kibernetike.

“Është e vërtetë që djali im që nga mosha 15-vjeçare ka pasur probleme me Polici për shkak se ka ndërhyrë në disa faqe interneti në Kosovë, por unë nuk besoj se ai është aq gjenial sa ta rrezikojë sigurinë kombëtare të Amerikës,” ka thënë Naim Ferizi BIRN.

Ai tha që familja e tij në Gjakovë ishte e shokuar nga arrestimi i djalit të tyre, i cili akuzohet si lideri i grupi të piratëve kibernetikë, Kosova Hacker’s Security.

Naim Ferizi shtoi se familja e tij “nuk ka kurrfarë lidhje” me ISIS-in, ndërsa foli me admirim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Jemi familje tradicionale shqiptare, e shkolluar; jemi pro shtetit të Amerikës dhe çdo vit aplikojmë për Green Card”, shtoi Ferizi, duke iu referuar programit vjetor të emigracionit të qeverisë amerikane për shtetas të huaj. “Pas arrestimit të djalit kemi kontaktuar dy herë me të dhe ka qenë e planifikuar që ai të lirohet, por mandej nuk e dimë çka ka ndodhë”.

Ai u shpreh se të hënën planifikon të shkojë në Ambasadën amerikane në Prishtinë “që ta jap versionin e vërtetë të familjes sime dhe djalit tim”.

Departamenti i Drejtësisë në SHBA njoftoi të enjten se Ardit Ferizi, i njohur gjithashtu me nofkën Th3Dir3ctorY, në mënyrë të paligjshme midis qershorit dhe gushtit 2015 i ka transferuar informacion anëtarit të Shtetit Islamik të njohur si Abu Hussain al-Britani. Me 11 gusht të këtij viti, Hussain postoi në Twitter një dokument më 30 faqe të titulluar “NEW: U.S. Military AND Government HACKED by the Islamic State Hacking Division!

Dokumenti përmbante një kërcënim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa përfshinte emrat, email-et, fjalëkalimet dhe numrat e telefonit të 1,351 ushtarakëve amerikanë dhe punonjësve të tjerë të qeverisë.

SHBA pritet të kërkojë ekstradimin e Ferizit. Në qoftë se shpallet fajtor, ai rrezikon një dënim me 35 vite burg. /BIRN/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/babai-i-hakerit-te-isis-it-jemi-pro-amerikes-video/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala