Azilantë për shkak të varfërisë

Autori:Avdyl Pajaziti

Thuajse disa javë përpara se të mbahet samiti në Gjermani për çështjen e azilkërkuesve, Zyra Federale për Emigracionin atje ka hartuar një studim i cili i kushtohet popujve të Ballkanit perëndimor.

Studimi, i cili pritet të përdoret si një orientim për autoritetet më të larta gjermane dhe krerët e landeve, shpjegon rritjen e katërfishuar të kërkesave për azil nga rajoni i Ballkanit. Në trajtën e një profili të aplikantëve, ky raport tregon se edhe pse Shqipëria, Serbia, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi janë politikisht, ligjërisht, ekonomikisht dhe etnikisht shumë të ndryshme nga njëra-tjetra, ato kanë një emërues të përbashkët: prirjen për emigracion.

Vendet e Ballkanit perëndimor që në vitet 1960 kosiderohen si shtete të origjinës për shumë emigrantë të shpërndarë në botë. Vite më parë, lëvizja e tyre nxitej nga konfliktet e armatosura e ndërsa tani, vëren raporti, banorët e Ballkanit perëndimor zgjedhin të punojnë në Itali, Zvicër, Greqi dhe në Gjermani, për shkak se ndihen të pakënaqur në vendet respektive.

Por, siç shpjegon Zyra Federale, kohët e fundit shumë ekuilibra në vendet që i presin kanë ndryshuar dhe tani prirja është që aplikantët nga Ballkani perëndimor të marrin përgjigje refuzuese për kërkesën e tyre. Një nga arsyet kryesore të refuzimit është se azilantët nga Ballkani nuk kanë nevojë të pajisen me status mbrojtjeje. Ajo çka e shkaktoi dyndjen e tyre në Gjermani nuk është gjë tjetër veçse standardi i ulët i jetesës dhe margjinalizimi social.

Zyrtarët gjermanë vërejnë se sfidat që i përkasin qeverive të rajonit tonë janë çështjet e pronësisë, strehimi, tregu i punës dhe arsimi. Ndër të tjera ata shtojnë se politikat e migracionit të Ballkanit perëndimor duhet të hartohen në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe vetë këto vende duhet të marrin masat përkatëse për të frenuar numrin e shtetasve që largohen në kërkim të një jete më të mirë.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/azilante-per-shkak-te-varferise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala