Axhenda e bisedimeve Kosovë – Serbi

Qeveria e Kosovës do të insistojë të mbajë lart në agjendën e procesit të normalizimit çështje të reja me rëndësi, përfshirë:
- Demarkacionin apo vendosjen e kufirit ndërkombëtar mes dy vendeve, për faktin se më shumë se 50% e vijës kufitare apo nga 743.556 km prej tyre, 380.068 km ndahet me Serbinë;
- Ndërprerja e ndërhyrjeve të Serbisë në Kosovë në fushat e tjera që nuk janë trajtuar në Marrëveshjet e Brukselit;
- Vendosja e bashkëpunimit ndërshtetëror në fusha me interes sipas standardeve evropiane, përfshirë aviacionin ajror/ transportin ajror;
- Njohjen reciproke e certifikatave të vlerësimit të konformitetit;
- Reparacionet e luftës – përfshirë kompensimin e dëmeve të luftës; dëmshpërblimi për dezinvestimet – në periudhën e okupimit; dëmshpërblimi për humbjet e pagave të personave të përjashtuar nga puna për shkak të përkatësisë kombëtare; dëmshpërblimi për shkatërrimin e sistemit pensional; dëmshpërblimi për shkatërrimin e sistemit bankarë dhe plaçkitjen e kursimeve devizore të kosovarëve, përfshirë rikthimin e kursimeve bankare; dëmshpërblimi për dëmet e luftës në pronën private dhe publike dhe objektet e trashëgimisë kulturore; dëmshpërblimi i familjarëve të atyre që janë vrarë dhe zhdukur nga Serbia; dëmshpërblimi i personave apo familjareve të atyre që janë mbajtur politikisht nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë; dëmshpërblimi i grave të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë;
- Çështja e personave të zhdukur – përfshirë kthimin e të zhvendosurve, kthimin e eksponateve dhe dokumenteve të trashëgimisë kulturore të marra nga Serbia; kthimi i filmave të Kosovafilmit; kthimi i fondit pensional dhe invalidor të qytetarëve të Kosovës; kthimi i depozitave bankare;
- Satisfaksioni – pranimi i përgjegjësisë për luftën dhe dëmet; drejtësia dhe dënimi i aktorëvë të luftës për gjenocidin/krimet ndaj popullatës së Kosovës, përfshirë dhunimin e grave, si mjet i luftës; kërkim falja publike për krimet e bëra në Kosovë;
- Suksesioni – Ndarja e pasurisë së ish-Jugosllavisë dhe borxhi ndërkombëtar i Kosovës; asetet financiare të ish-Jugosllavisë; pronat e misioneve diplomatike e konsullore të ish-Jugosllavisë; pronat ushtarake të ish-Jugosllavisë; pronat e luajtshme të ish- Jugosllavisë; arkivat e ish-Jugosllavisë; kthimi i dokumenteve të ish-Jugosllavisë që e implikojnë Kosovën; kthimi i listës me të dhënat e plota për të gjitha objektet dhe pajisjet radioaktive. /Gazeta Fjala