Avokatja kundërshton paraburgimin e Albin Kurtit

Autori:Avdyl Pajaziti

Avokatja Hedije Ademi e caktuar sipas detyrës zyrtare për mbrojtjen e Albin Kurtit paralajmëroi ankesë kundër vendimit për paraburgimin e ish-kryetarit të “Vetëvendosjes”.

Ademi tha për KALLXO.com se do të shfrytëzojë afatin e paraparë ligjor për të ushtruar këtë të drejtë.

“Do të parashtroj ankesë në afatin prej 24 orësh prej momentit që e kam pranuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinës,” tha Ademi.

Ademi nuk u përgjigj se cila është baza juridike me të cilën do ta arsyetojë ankesën e saj dhe nuk tregoi se a ka bashkëpunuar Albin Kurti me të si avokate mbrojtëse gjatë seancës për caktimin e paraburgimit.

Kurti u arrestua dje në selinë e “Vetëvendosjes”, pas manifestimit opozitar në Sheshin “Zahir Pajaziti” ku mbajti fjalim.

Ai po kërkohej nga policia me urdhër-arrest të gjykatës për rolin që kishte në hedhjen e gazit lotsjellës në njërën nga seancat e Kuvendit të Kosovës.

Pas dërgimit të tij në Pallatin e Drejtësisë u mbajt seanca për caktimin e masës së sigurisë, ndërsa prokurorja Fikrije Krasniqi- Fejzullahu kërkoi paraburgim për Kurtin.

Po nën dyshimet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, paraburgimi i është caktuar edhe deputetes së AAK-së Donika Kadaj-Bujupit më 18 nëntor.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/avokatja-kundershton-paraburgimin-e-albin-kurtit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala