Avokati i Popullit të Kosovës pranohet si anëtar me të drejta të plota në AOMF

Autori:Gazeta Fjala

Avokati i Popullit të Shqipërisë, Igli Totozani, mori pjesë në Kongresin e 9-të të Shoqatës së Ombudspersonëve dhe Ndërmjetësuesve Frankofonë (AOMF), që u mbajt në datat 13-15 tetor 2015 në Quebec të Kanadasë.

Një zhvillim mjaft i rëndësishëm në këtë konferencë ishte pranimi si anëtar me të drejta të plota i Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës, një arritje tjetër e madhe në integrimin e Kosovës në struktura dhe organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Ky anëtarësim në AOMF u prit me entuziazëm nga anëtarët e tjerë të kësaj organizate të rëndësishme në rang botëror në fushën e të drejtave të njeriut.

Totozani ishte një nga referuesit e panelit të parë të Kongresit të AOMF.

Ai është anëtar i Bordit Drejtues të kësaj strukture. Fjala e Avokatit të Popullit të Republikës së Shqipërisë u prit me interes të veçantë dhe u vlerësua shumë nga të pranishmit. Midis të tjerave Totozani theksoi se “puna e Ombudspersonit në vendet me demokraci ende të pakonsoliduar është një sfidë e madhe. Këto vende karakterizohen nga një “paradoks” i madh, midis një rendi kushtetues demokratik nga njëra anë dhe mungesës së kulturës demokratike nga ana tjeter”.

Ky paradoks, sipas tij,është burimi i një tensioni të madh, pasi në mungesë të kësaj kulture administrata publike shpesh shkel ligjet, ose së paku realizon një përdorim abuziv të normës juridike, transmeton kp.

Totozani shtoi më tej se “vështirësia e Ombudspersonit është e dyfishtë në këtë rast, pasi ai duhet nga njëra anë të korrigjojë dhe përmirësojë administratën publike dhe nga ana tjetër të përhapë një kulturë të tillë demokratike. Mungesa e kësaj kulture sjell moskuptim të rolit të Ombudspersonit.

“Shpesh kritikat e tij apo dhe rekomandimet konsiderohen sulme nga aktorët politikë dhe qeverisës. Shpesh rekomandimeve të tij nuk i kthehet as përgjigje. Por udhëheqësit tanë duhet të kuptojnë se qëndrimi ndaj Ombudspersonit është një nga indikatorët më elokuentë dhe më të saktë të nivelit të demokracisë në një vend. Kjo e fundit duhet të jetë e qartë për këdo. Mosbashkëpunimi me Ombudspersonin shkon drejtpërdrejtë në dëm të qytetarëve”, përfundoi Avokati i Popullit.

Punimet e këtij kongresi përfunduan me marrjen e disa vendimeve mjaft të rëndësishme. Kongresi zhvilloi zgjedhjet për organet drejtuese të organizatës, e cila përfshin Ombudspersonët nga 48 vende të botës.

Avokati i Popullit Shqiptar, Igli Totozani, u rizgjodh me unanimitet të plotë për të dytën herë radhazi anëtar i Bordit drejtues të Organizatës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/avokati-i-popullit-te-kosoves-pranohet-si-anetar-me-te-drejta-te-plota-ne-aomf/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala