Avokati i Popullit: “Konfuzion në trajtimin e dëshmorëve të kombit”

Autori:Avdyl Pajaziti

Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës ka publikuar sot Raportin me rekomandime për ankesën nr. 201/2015, lidhur me njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit të UÇK-së apo të internuarit të UÇK-së Ky raport është bazuar në ankesën e parashtruar nga z. Behram Krasniqi, anëtar i Komisionit të familjeve të dëshmorëve të kombit kundër Komisionit Qeveritar, për shkak të mosnjohjes së statusit të dëshmorëve të rënë brenda periudhës 1968-1990.

Qëllim i këtij raporti është tërheqja e vëmendjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) dhe Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, apo të internuarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (më tutje: Komisioni Qeveritar), lidhur me nenin 8, paragrafin 2 të Ligjit Nr.04/L-054, për Statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktima civile dhe familjeve të tyre.

Bazuar në nenin 18, paragrafi 1.7 të Ligjit për Avokatin e Popullit Nr. 05/L-019, Avokati i Popullit është i autorizuar “të rekomandojë nxjerrjen e ligjeve të reja në Kuvend, ndryshimin e ligjeve që janë në fuqi dhe nxjerrjen apo ndryshimin e akteve nënligjore dhe administrative nga institucionet e Republikës së Kosovës.”

Avokati i Popullit nuk ka arritur të sigurojë informata lidhur me qëndrimin zyrtar të Komisionit Qeveritar në raport me kërkesat e familjarëve të dëshmorëve të rënë gjatë periudhave të ndryshme historike, për shkak të mungesës së bashkëpunimit nga ana Komisionit Qeveritar, përkundër faktit se mosbashkëpunimi i organeve, institucioneve ose autoriteteve, që ushtrojnë pushtet legjitim në Republikën e Kosovës, paraqet shkelje të nenit 132, paragrafit 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 25 të Ligjit Nr.05/L-019 për Avokatin e Popullit.

Megjithatë, bazuar në legjislacionin fuqi, Avokati i Popullit vëren se neni 8 i Ligjit Nr.04/L- 054 përcakton të drejtën në pension dhe beneficione për familjet e dëshmorëve dhe të zhdukurve të UÇK-së, ndërsa paragrafi 2 i nenit 8, në veçanti përcakton se:

“Këto të drejta i realizojnë edhe të gjitha familjet e dëshmoreve të kombit të rënë në forma të ndryshme për lirinë e vendit në periudha të ndryshme historike” Avokati i Popullit vëren se sipas Ligjit Nr.04/L-054, neni 3 paragrafi 1.6, Dëshmor i Kombit konsiderohet pjesëmarrësi i UÇK-së që:

1.6.1. ka rënë në luftë për lirinë e vendit nga viti 1997-1999;

1.6.2. është plagosur në luftë për lirinë e vendit në periudhën 1997-1999 dhe ka vdekur nga plagët e marra brenda tri (3) viteve.

Avokati i Popullit konsideron se neni 8, paragrafi 2 i Ligjit Nr.04/L-054 ka krijuar pritje legjitime tek familjaret e dëshmorëve të kombit të rënë në periudha të ndryshme historike lidhur me realizimin e të drejtave të tyre. Mos përmbushja e pritjeve legjitime të krijuara nga familjarët e dëshmorëve të kombit nga ana e autoriteteve të Republikës së Kosovës, përbën shkelje të të drejtave të tyre të përcaktuara me ligj.

Duke u nisur nga parimi i zbatimit të ligjshmërisë dhe me qëllim të përmirësimit dhe rritjes së efikasitetit të organeve të administratës publike, Avokati i Popullit, në pajtim me nenin 135 paragrafi 3, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës si dhe nenit 18 paragrafi 1.7 të Ligjit për Avokatin e Popullit, rekomandon:

Qeveria e Republikës së Kosovës t’i japë mandat Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, apo të internuarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ose të themelojë një komision të ri, i cili do të shqyrtonte kërkesat për njohje të statusit të dëshmorëve të kombit të rënë në periudha të ndryshme historike, sipas përcaktimit të vet Ligjit.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, me përkrahjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të ndërmarrë iniciativë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.04/L-054, për Statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mënyrë që përkufizimet e ligjit të jenë në harmoni me përmbajtjen e ligjit.

Ky Raport me rekomandime i Avokatit të Popullit për Ankesën nr. 201/2015, u është dërguar institucioneve përgjegjëse: Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Punëve dhe Mirëqenies Sociale dhe Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, apo të internuarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pret përgjigje në rekomandimet e ngritura lidhur me rastin, jo më vonë se deri më 28 nëntor 2015.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/avokati-i-popullit-konfuzion-ne-trajtimin-e-deshmoreve-te-kombit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala