Avokati i Popullit kërkon që Serbia t’i kthejë borxhin pensionistëve të Kosovës

Autori:Avdyl Pajaziti

Avokati i Popullit të Kosovës, Hilmi Jashari ka publikuar sot opinionin drejtuar Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, për mos ekzekutimin e aktgjykimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), për rastin Grudiq kundër Serbisë, duke kërkuar që Serbia të rinisë pagimin e pensioneve, përfshirë kamatën ligjore, për periudhën kohore para se ata të fillonin të merrnin pension nga Republika e Kosovës.

Në deklaratën hyrëse të këtij opinioni, Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e tij për mos përmbushjen e obligimeve të Republikës së Serbisë ndaj pensionistëve të Kosovës, sipas aktgjykimit të GJEDNJ-së, në vitin 2012, për rastin Grudiq kundër Serbisë.

Aktgjykimi i GJEDNJ-së në rastin Grudiq kundër Serbisë, është aktgjykim parimor, me të cilin Serbia është e obliguar t’i kompensojë në mënyrë të njëjtë, sipas aktgjykimit të lartpërmendur, pensionet kontributpaguese, pensionet invalidore të punës dhe pensionet familjare, për qytetarët e Kosovës, të cilët i kanë gëzuar këto pensione deri në vitin 1999, kur edhe janë ndërprerë nga Serbia në mënyrë arbitrare.

“Serbia në vazhdimësi ka dhënë arsyetime për t’i ikur zbatimit këtij aktgjykimi të GJEDNJ-së, përkundër detyrimit për respektimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Nj eriut, e së këndejmi obligimit për zbatimin e vendimeve të GJEDNJ-së. Në anën tjetër, duke marrë parasysh se deri më tani, institucionet e Republikës së Kosovës, nuk e kanë ngritur këtë çështje në instanca përmes të cilave do të kërkohej zbatimi i aktgjykimit të GJEDNJ-së dhe, së këndejmi, për gjithë rastet tjera të kësaj natyre, Avokati i Popullit e ka parë të arsyeshme të jap këtë Opinion, duke u bazuar në Rregulloren e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, që ka të bëjë me mbikëqyrjen e ekzekutimit të aktgjykimeve”, thuhet në një komunikatë të Avokatit të Popullit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/avokati-i-popullit-kerkon-qe-serbia-ti-ktheje-borxhin-pensionisteve-te-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala