Avokati i Popullit: Dhuna ndaj grave, problem evident në shoqërinë tonë

Autori:Avdyl Pajaziti

Me rastin e Ditës ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj gruas, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari ka deklaruar  se dhuna ndaj grave është një prej shkeljeve më të rënda të të drejtave të njeriut.

“Duke folur kundër dhunës, thyhet zinxhiri i heshtjes me të cilin është e lidhur dhuna në familje dhe ndikohet drejtpërdrejtë në parandalimin e përhapjes së dhunës në të gjitha sferat e tjera të jetës, posaçërisht për grupet më të cenueshme, për gratë dhe fëmijët e kësaj shoqërie” thuhet në deklaratën e Jasharit.

Sipas tij, dhuna ndaj grave është një prej shkeljeve më të rënda të të drejtave të njeriut dhe mbetet pengesë e madhe në realizimin e barazisë, prosperitetit dhe paqes në shoqëri.

Për Avokatin e Popullit mbetet shqetësues fakti se dhuna në familje, me theks të veçantë dhuna ndaj grave, vazhdon të jetë problem evident në shoqërinë tonë.

“Vetëm një numër i vogël i rasteve të dhunës në familje raportohet tek autoritetet kompetente për trajtimin e kësaj çështje, por ekziston perceptimi që në realitet ky numër është shumë më i madh. Posaçërisht, në zonat rurale, pozita sociale e femrës është qartas e nënshtruar ndaj asaj të mashkullit dhe shoqëria është shumë pak e vetëdijshme për konceptin e barazisë gjinore. Në shumicën e rasteve viktimat më të shpeshta të dhunës në familje janë fëmijët, gratë dhe pleqtë.”

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, Avokati i Popullit, tërheq vëmendjen në domosdoshmërinë e reagimit me kohë dhe në mënyrë të përshtatshme nga autoritetet kompetente, veçanërisht në rastet kur dhuna në familje lajmërohet.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/avokati-i-popullit-dhuna-ndaj-grave-problem-evident-ne-shoqerine-tone/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala