Avokatët: Arrestimi i Kurtit, i panevojshëm

Autori:Avdyl Pajaziti

Arrestimi i deputetit të “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, në orët e vona të së hënës, ka qenë i panevojshëm, sipas avokatëve në vend. Ata vlerësojnë se me faktin që Kurti nuk ka qenë duke ikur, arrestimi, apo ndalimi i tij, siç e quan Policia, nuk ka pasur arsye të ndodhë. Avokatët sqarojnë se ky rast ka mundur të procedohet më tutje vetëm duke shënuar se personi nuk do të japë deklaratë dhe pastaj t’i dërgohet prokurorit.

Avokati Tomë Gashi ka thënë se arrestimi i Albin Kurtit është krejtësisht joligjor dhe i panevojshëm. “Vetë koha, apo momenti i arrestimit të tij në situatë tepër tensionuese dhe shpërthyese ka qenë krejtësisht i panevojshëm, i dëmshëm dhe me asnjë rezultat konkret”, ka deklaruar Gashi.

Sipas tij, forma e vetme për të parandaluar përshkallëzimin e situatës ka qenë dërgimi i rastit në Prokurori pa intervistimin e Kurtit, thjesht duke shënuar se personi nuk do të japë deklaratë dhe pastaj i dërgohet Prokurorit.

“Sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale secili i dyshuar ka të drejtë të mos jap fare deklaratë për dyshime që mund të paraqiten ndaj tij, përveçse ka obligim që organet e ndjekjes, Policinë dhe prokurorin t’i njoftojë për identitetin e tij. Albin Kurti dihet kush është dhe rasti ka mund të shkojë në Prokurori pa asnjë deklaratë të tij”, ka vlerësuar më tej Gashi, duke thënë se nuk ka pasur asnjë rast të tillë, që të arrestohen zyrtarë të lartë shtetërorë për këso gjërash dhe atë në orët e vona të natës./zëri/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/avokatet-arrestimi-i-kurtit-i-panevojshem/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala