Autobusët e Llapit injorojnë stacionin e Prishtinës (Foto)

Autori:Avdyl Pajaziti

Stacioni i autobusëve në Prishtinë që nga viti 2001 e deri më tani ka humbur nga 2 mijë euro në muaj. Mbledhjen e këtyre pareve drejtuesit e këtij stacioni nuk kanë mundur ta bëjnë kurrë nga autobusët që qarkullojnë nga Podujeva drejtë kryeqytetit. Ata si stacion e njohin vetëm vendin  e quajtur “Te Xhamia e Llapit”, ndonëse e pranojnë se ky veprim është ilegal.

Fadil Berisha, anëtar i shoqatës së autobusëve të Podujevës, thotë se janë problemet infrastrukturore që i detyrojnë të ndalen te Xhamia e Llapit. Ai tregon se kanë kërkuar nga komuna disa kushte, por sipas tij ata nuk janë përmbushur.

“Ne jemi të vetëdijshëm që duhet të shkojmë në stacion. Kemi kërkuar nga komuna leje për qasje në rrugët një kahore që të depërtojmë më lehtë në stacion. Konkurrenca e automjeteve të vogla, trafiku i ngarkuar na shkaktojnë edhe humbje në udhëtar edhe vonesa e pakënaqësi të udhëtarëve. Sikur komuna të i siguronte këto, ne do i përfillnim të gjitha udhëzimet”- ka thënë Berisha për Gazetën Fjala.

E drejtues të Stacionit të autobusëve në Prishtinë kanë thënë se autobusët e Llapit tani e 14 vite e kanë injoruar këtë stacion. Ata thonë se me këtë veprim është shkaktuar edhe humbje në të hyrat e stacionit.

“Prej vitit 2001 e tutje ata nuk kanë ardhur në stacion, por ndalen te xhamia e Llapit. Janë 120 linja të peronit numër 18 që është Podujeva dhe numër 17 Orllani, që janë të obliguara të vijnë në stacion. Secila linjë kushton 3 euro, këta i shmangën kësaj takse, por edhe shkaktojnë pakënaqësi te udhëtarët që detyrohen të paguajnë trafikun urban për udhëtim, dhe pakënaqësitë na vishen neve dhe fajësohemi ne nga udhëtarët”, ka thënë Elez Gashi, shef i Stacionit të autobusëve në Prishtinë.

Ai tregoi se kanë kërkuar edhe nga komuna e Prishtinës që të zgjidhet problemi por rezultatet kanë munguar.

“…sigurisht dikush i mbron, janë të vetmit që kanë qasje në qytet dhe askush nuk i ndalon, madje kjo ka ndodhë edhe gjatë kohës kur kryeministri Mustafa ishte kryetar i Prishtinës”, ka thënë  Gashi.

Gazeta Fjala kë bërë përpjekje që të marrë një përgjigje për këtë çështje edhe në Komunën e Prishtinës, që drejtohet nga Shpend Ahmeti. Por, drejtues të saj as pas dy javë pritje nuk e kanë për të udhës ta thonë asnjë fjalë./Gazeta Fjala/.

11120555_906547032742590_1812893989_n (1)

11354777_906547029409257_1490465428_n

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/autobuset-e-llapit-injorojne-stacionin-e-prishtines-foto/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala