Austostrada “Ibrahim Rugova” deri në pranverë mbetet pa drita

Territ tre vjeçar të autostradës “Ibrahim Rugova” duket se shumë shpejt do t’i vijë fundi. Premtimin për kthimin e dritave në rrugën e kombit, po e bënë vetë Ministria e Infrastrukturës. Në këtë institucion kanë treguar se rivendosjen e kabllove të vjedhura, do ta bëjnë brenda disa muajve. Kabllot në “Ibrahim Rugova” ishin vjedhur në vitin 2013 dhe vlera e tyre shkon në afro 1.5 milionë euro.
Kabllot e vjedhura tri vite më parë lanë një pjesë të autostradës “Ibrahim Rugova” pa ndriçim. Një pjesë e saj po vazhdon të jetë ende në terr. Qytetarët që e frenkuetojnë autostradën u ankuan për udhëtimin e vështirë, sidomos në kohën kur është e pranishme mjegulla,shkruan Gazeta Express.
Por si duket kësaj po i vije fundi. Kështu të paktën thonë në Ministrinë e Infrastrukturës. Mustafa Gara, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se dëmet e vjedhura janë shumë të mëdha dhe pritet që në pranverë të fillojë intervenimi për ta kthyer ndriçimin. Sipas tij, Ministria ku ai punon nuk ka ende kontratë për ndriçimin e autostradës.
“Kemi kontrata te rrugët regjionale dhe nacionale, por nuk kemi për autostradën. Si pasojë e mjeteve financiare ne nuk kemi ende kontratë për rregullimin e ndriçimit”, ka thënë ai.
“Brenda këtyre muajve, në pranverë pritet që të intervenojmë për ndriçim”
Gara ka thënë se kjo Ministri do të gjejë një formë për mirëmbajtjen e autostradës, duke lënë mundësinë që ajo të bëhet brenda kontratës për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale.
“Do të gjejmë formë ose me mirëmbajtje ose brenda kontratës së rrugëve nacionale, apo një rrugë të veçantë për autostradën”.
Në lidhje me këtë rast, Policia e Kosovës thotë se kanë arrestuar disa persona nga Kosova dhe se në mesin e të arrestuarve ka edhe shtetas të Shqipërisë .
“Disa raste janë raportuar për vjedhjen e kabllove dhe gjërave të tjera. Policia e Kosovës ka arrestuar persona të dyshuar, ka pas nga Kosova po ashtu edhe nga Shqipëria”, ka thënë Kelani.
Dëmet e vjedhjes së kabllove ndriçuese lanë një pjesë të autostradës “Ibrahim Rugova” në terr nga 2013’ta. Përveç kabllove, u vodhën edhe rrethojat.
Përfaqësues të MI atë kohë kishin thënë se rreth 1. 5 milionë euro është vlera e dëmit që qytetarët e Kosovës i kanë shkaktuar Ministrisë, duke vjedhur kabllot e ndriçimit, rrethojat dhe gjëra të tjera përskaj autostradës “Ibrahim Rugova”.