ATK rimburson 354 mijë euro për kuponët fiskalë

Autori:Avdyl Pajaziti

Interesimi i qytetarëve ka qenë tejet i madh për grumbullimin dhe dorëzimin e plikove me kuponë fiskalë për rimbursimin e parave. Sipas zyrtarëve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) në tremujorin e dytë të këtij viti, kur edhe ka filluar projekti për dorëzimin e kuponëve fiskalë, ATK-ja ka pranuar 22 mijë kuponë fiskalë me vlerë mbi 350 mijë euro.

Ky projekt po vlerësohet si tejet i suksesshëm nga zyrtarët e ATK-së, por edhe nga njohës të çështjeve ekonomike.

Sipas tyre, që nga momenti kur ATK-ja ka publikuar njoftimin “Kërko kuponin fiskal, përfito para”, është vërejtur interesim i madh nga qytetarët që të pajisen me kuponë fiskalë në momentin e furnizimit me mall apo shërbim.

“Kemi pasur pliko diku 22 mijë kuponë fiskalë, me të cilët kanë aplikuar qytetarët për t’iu kthyer mjetet. Me sukses e kemi përfunduar pjesën e tremujorit të dytë dhe po përgatitemi tani për tremujorin e tretë. Për këtë tremujor ne kemi rimbursuar diku 354 mijë euro. Besoj se me shumë efikasitet e kemi menaxhuar këtë proces. Në përgjithësi nuk kemi ankesa nga klientët”, ka thënë për KosovaLive ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të ATK-së, Nahit Sharku.

nahit sharku

Megjithëse ka pasur rast kur edhe kanë hasur në kuponë jofiskalë, por Sharku thekson se me paraqitjen e tyre ATK menjëherë ka marrë masat e duhura. Mirëpo ai thekson se bazuar në raportet që kanë pranuar, një pjesë e tyre kanë qenë kuponë fiskalë, porse kanë pasur gabime teknike në aspektin e pajisjes.

“Po ashtu për shkak të kontrollimeve teknike, ka pasur ndonjë gabim gjatë riprogramimit, por nuk kemi pasur ndonjë problem serioz sa i përket atyre. Disa prej tyre kanë qenë të subjekteve që posa kanë filluar të lëshojnë kuponë fiskalë dhe për shkak të mos njohurive të mjaftueshme kanë bërë gabime. Këto gabime ishin minore në raport me suksesin e procesit të kthimit të kuponëve fiskalë. Ne kemi marr masa dhe disa prej tyre janë në proces të kontrollit”, ka theksuar Sharku.

Gëzimi nga Prishtina, i cili kishte dorëzuar tri pliko me kuponë fiskalë kishte përfituar 50 euro nga rimubursimi i tyre. Ai thotë se me t’u informuar për dorëzimin e kuponëve fiskalë, i ka dorëzuar ata pasi kishte filluar t’i grumbullojë që nga qershori.

 

Kuponat fiskal kl2

“Me kuponët fiskalë që i kam grumbulluar gjatë tre muajve prill-maj-qershor, i kam marrë 50 euro. Tashmë çdo blerje që e bëjë nëpër markete të ndryshme ua kërkoj kuponin fiskal, pasi që po na mundësohet t’i dorëzojmë dhe të fitojmë para. Edhe për këta tre muajt e tjerë jam duke grumbulluar kuponë fiskalë dhe do t’i dorëzojë menjëherë në fillim të tetorit”, shprehet Gëzimi.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), ka thënë ditë më parë për KosovaLive se rimbursimi i një pjese të mjeteve me kuponë fiskalë ka shtuar një kureshtje tek qytetarët dhe ata tashmë janë duke i grumbulluar, e që kjo është një risi në Kosovë që do të ketë një sukses të theksuar.

agim-shahini

Ai ka theksuar se kjo është një formë e vetëdijes së qytetarëve për të kërkuar kuponët fiskalë, por kjo nuk do të thotë që informaliteti do të ulet në tregun e Kosovës, për arsye se në shumë kompani të cilat kanë arka fiskale, pothuajse 100% e kanë aktivitetin formal.

“Kuponët fiskal që po i grumbullojnë qytetarët janë të kompanive që janë të pajisura me arka fiskale, por ku janë ato kompani dhe ato subjekte ekonomike që nuk kanë arka fiskale dhe as nuk shpërndajnë kuponë fiskalë? Kjo në një aspekt do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës, ndërsa projekti i grumbullimit të kuponëve fiskalë është edhe një tentim për rritjen e vetëdijes së qytetarëve që mos të blejnë mallra aty ku nuk ka kuponë fiskalë”, ka thënë Shahini.

Qytetarët e Kosovës, sipas tij, duhet t’i bojkotojnë subjektet ekonomike ku nuk kanë arka fiskale e të shfrytëzojnë këtë mundësi, e cila siç thotë ai, se nuk beson se do të zgjatë shumë, për arsye se nuk do të jetë në dobi të buxhetit të shtetit.

Sipas zyrtarëve të ATK-së, projekti tashmë i titulluar “Rimbursimi i mjeteve nga grumbullimi i kuponëve fiskal”, ka për qëllim vetëdijesimin e të gjithë qytetarëve që të pajisen me kuponë fiskal, si një nga mënyrat të cilët individualisht ndihmojnë në zhvillimin e shtetit, si dhe përmes qytetarëve të ndihmohet fiskalizimi i bizneseve.

Për të gjithë konsumatorët, të cilët grumbullojnë kuponët fiskal dhe si të tillë i dërgojnë në ATK, do të aplikohet rimburismi i vlerës së tatueshme të të gjithë kuponëve fiskalë në muajin pasues të çdo tremujori, sipas këtyre kritereve:

Grupi I – Plikotë me më shumë se 30 kuponë dhe me vlerë  të përgjithshme nga 250 € deri në 500 €, do të rimbursohen në vlerën 10 €;

Grupi II – Plikotë me më shumë se 40 kuponë dhe me vlerë të përgjithshme nga 501 € deri në 800 €, do të rimbursohen në vlerën 15 €;

Grupi III – Plikotë me më shumë se 50 kuponë dhe me vlerë të përgjithshme mbi 800 € do të rimbursohen në vlerën 20 €.

Sipas zyrtarëve të ATK-së, ky projekt i grumbullimit të kuponëve fiskalë nga ana e qytetarëve ndihmon edhe në rënien e evazionit fiskal./kosovalive/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/atk-rimburson-354-mije-euro-per-kuponet-fiskale/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala