ATK-ja mbyll sytë karshi naftëtarëve

Autori:Avdyl Pajaziti

Ka më shumë se një vit e gjysmë që drejtuesit e Administratës Tatimore të Kosovës iu kishin vënë kushte naftëtarëve kosovarë që të fillojnë me rifiskalizimin e pikave të shitjes. Madje, me të ardhur në krye të këtij institucioni edhe Nait Sharku kishte dhënë ultimatum që nga 1 gushti të gjithë naftëtarët kosovarë të fiskalizohen me arka të veçanta.

Nga 800 pika të karburanteve, sa llogaritet se janë në Kosovë, janë fiskalizuar me arka të veçanta vetëm 45 prej tyre. Ndërkaq, arsyeja se përse ATK-ja nuk po licencon operatorin tjetër për arkat fiskale, sipas analistëve, po bëhet qëllimisht për të përfituar naftëtarët, të cilët janë të lidhur me pushtetin.

Sipas tyre, pagesat e shtrenjta të arkave fiskale janë vetëm një justifikim përballë qëllimit të vërtetë që është shmangia e tatimit për interesa të kompanive të mëdha, ku qëndrojnë dhe janë pjesë edhe politikanët.

Ka më shumë se një vit që në ATK kanë pranuar 4 kërkesa për licencim të operatorëve të rinj. Pas aplikimit me këto oferta për operatorë ishte marrë Njësia për Menaxhimin e Arkave Fiskale, e cila e ka të drejtën që nga data e pranimit të kërkesave të vendosë për kriteret dhe aprovimin për laborator teknik.

Mirëpo, shitja e pajisjeve fiskale për treg nuk bëhet pa e kaluar testin përfundimtar në laborator teknik dhe pasi të kalojë testin aprovohet nga NJMAF-ja. Nga ATK-ja kanë bërë të ditur se operatorët që kanë shprehur interesin për aplikim për operator ekonomik për shitjen e pajisjeve fiskale deri më tani në NJMAF janë katër, dy nga të cilët kanë marrë të drejtën nga NJMAF-ja për ta prezantuar pajisjen fiskale te laboratori teknik pranë Fakultetit Teknik. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/atk-ja-mbyll-syte-karshi-naftetareve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala