ATK inkasoi 11 për qind të hyra më shumë sesa në vitin e kaluar

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se këtë vit ka pasur rritje të të hyrave për 11 për qind.
ATK këtë sukses ia atribuon reformave fiskale dhe mbledhjes më efikase nga ky institucion.
Kjo u bë e ditur gjatë prezantimit të rezultateve të anketës me tatimpagues për vitin 2015 lidhur me shërbimet e ATK-së, si dhe prezantimi i punës së Zyrës për gjoba dhe ndëshkime administrative dhe sfidave në të ardhmen të organizuar nga ATK dhe GIZ.
Në kohën kur fillonte të diskutohej për gjobat dhe ndëshkimet, organizatorët nxorën jashtë mediat.
Ministri i Financave Avdullah Hoti theksoi se kanë arritur ta stabilizojnë buxhetin shtetëror edhe tek të hyrat dhe te shpenzimet.
“Sot është ndërtuar një sistem vetëfunksionues sa u përket financave publike dhe tash për tash kemi agjendë tjetër për ta çuar përpara këtë mision. Kemi arritur ta stabilizojmë buxhetin shtetëror edhe te të hyrat dhe te shpenzimet”, deklaroi ministri Hoti. /Gazeta Fjala/