Atifete Jahajaga: Nikoliq të kthjellet dhe vetëdijesohet

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka ritheksuar sërish se presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, duhet të vetëdijesohet se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe i njohur deri më tani nga 110 shtete. Këto komente, Jahjaga i bëri gjatë vizitës që zhvilloi në kompaninë KosovaTex bashkë me drejtues të USAID-it.
Presidentja Atifete Jahjaga ka shprehur qëndrimin e saj lidhur me deklaratën e presidentit të Serbisë Tomislav NIkoliq, i cili të hënën në takimine Procesit Bërdo-Brino në Budvë kishte përdorë fjalor injorues duke thënë se Kosova nuk është shtet.
“Presidenti Nikoliq duhet të kthjellet dhe të pranojë se Kosova është një shtet i pavarur dhe sovran”, tha Jahjaga, transmeton RTK.
“Ai duhet të kthjellet me realitetin e ri të Kosovës, që Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe i njohur nga 110 shtete të botës. Vetë prezenca ime në atë tavolinë me të gjithë presidentet e tjerë të rajonit, duke përfshirë dhe presidentin e Austrisë, është dëshmia më e mirë që jemi të barabartë me të gjitha vendet e tjera”,tha ajo.
Këto komente Jahjaga i bëri gjatë vizitës që zhvilloi bashkë me zyrtarë të USAID-it në kompaninë KosovaTex në Prishtinë, duke parë nga afër mundësinë e punësimit të grave në këtë kompani. Jahjaga tha se do të punojnë që të fuqizojnë rolin e gruas në fushën e ekonomisë.
“Kosova ka ende probleme sa i përket shkallës ulët të punësimit sidomos për të rinjtë, e në veçanti nga 50 për qind që janë gra dhe vajza dhe ne atë potencial duhet ta shfrytëzojmë në zhvillim të mbarshim të vendit tonë”, tha Jahjaga.
E drejtori i misionit USAID në Kosovë, James Hope ka shprehur mbështetjen e tij të vazhdueshme për projektet ekonomike në vend.
“Kjo është një shembull shumë i mirë sesi mund të krijohen shkathtësi dhe njohuri të duhura për gratë dhe për t’i fuqizuar ekonomikisht dhe është një mundësi e mirë që ekonomisë dhe biznesit u ofrohet një fuqi për të cilën ata kanë nevojë”, u shpreh Hope.
Zhvillimi i ekonomisë, ndikon në bazën e qëndrueshme ekonomike të vendit dhe garanton një rrugë drejt integrimeve evropiane, u tha gjatë vizitës në këtë kompani që njihet për prodhimin e xhinseve./Indeksonline/