Asnjë detaj për ikjen e Lushtakut nga QKUK-ja

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i Skënderajt, i dënuar me burgim, Sami Lushtaku ka treguar disa herë se ka fuqinë për të sfiduar sistemin e drejtësisë në vend. Këtë e ka bërë së paku 2 herë në vitin e fundit, duke mos respektuar vendimet e gjykatës e as oficerët e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Ministria e Drejtësisë duket se nuk ka marrë masa për këto lëshime të Shërbimit Korrektues.

Për tri ditë, KohaVisioni ka pritur një përgjigje nga Ministria e Drejtësisë për rezultatin e një hetimi të brendshëm që e kishte nisur në 2014-ën, kur kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, bashkë me dy të akuzuar të tjerë, Sahit Jashari e Ismet Haxha, ishin zhdukur nga QKUK-ja.

Ministria e udhëhequr nga Hajredin Kuçi nuk ka qenë në gjendje të kthejë një përgjigje për këtë. Prokuroria atëkohë kishte nisur hetim për Lushtakun dhe të tjerët, për veprën penale ‘shkelje e urdhrit të Gjykatës’. Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka dashur të flas për këtë çështje me arsyetimin se nuk komenton hetime që janë vazhdim e sipër.

KTV-ja ka mësuar se hetimet po i udhëheq një prokuror special i EULEX-it.

Kryetari i Skenderajt është duke qëndruar që nga java e kaluar në Burgun e Sigurisë së lartë, ku u transferua me vendim të Gjykatës, për shkak të shkeljeve të vazhdueshme.

Tre oficerët përgjegjës janë suspenduar javën e kaluar, kur Lushtaku ishte zhdukur nga hapësirat e QKUK-së dhe Ministria e Drejtësisë kishte njoftuar se kanë nisur edhe hetime për rastin e dytë të tillë mes Lushtakut dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/asnje-detaj-per-ikjen-e-lushtakut-nga-qkuk-ja/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala