Asllanaj: LDK e ka Kryeministrin, s’ka arsye të jetë kundër Thaçit President

Autori:Gazeta Fjala

Kryetari i Suharekës, Sali Asllanaj, ka thënë se është paradoksale qysh po tentohet prej disa individëve brenda partisë të rrëzojnë LDK’në nga udhëheqja Qeverisë së Kosovës.

Në këtë drejtim, ai ka thënë se duhet të respektohet marrëveshja me PDK’në, ku Kryeministri mbetet i LDK’së derisa Presidenti i PDK’së.

“Si LDK s’kemi arsye të jemi kundër kësaj marrëveshje”, ”, ka thënë Asllanaj, për Gazetën Express, të dielën.

“ Është absurde kur një pjesë e LDK’së pretendojnë që në mënyrë paradoksale të rrëzojnë LDK’në prej Qeverisë, të cilën e udhëheqim për herë të parë prej pasluftës”, ka shtuar ai.

LDK dhe PDK kanë paralajmëruar se në javët në vazhdim do të mbajnë seancën për të zgjedhur Hashim Thaçin në krye të Shtetit. Disa prej deputetëve të LDK’së kanë thënë se do të votojnë kundër.

Por, anëtari i Kryesisë së LDK’së thotë se nëse shkohet në zgjedhje për shkak të dështimit për të përmbushur marrëveshjen në pikën për Presidentin atëherë partia e tij do të bartë përgjegjësinë.

 “LDK nuk duhet të jetë shkaktare e ndonjë çrregullimi e institucioneve. Nëse s’respektohet marrëveshja edhe për pikën e Presidentit atëherë ne do ta bartim barrën e prishjes së marrëveshjes”, ka thënë ai.

Partitë opozitare kanë paralajmëruar se do të bllokojnë edhe zgjedhjen e Presidentit sikurse kanë vepruar deri më tash me pengimin e punës së Kuvendit të Kosovës. Madje, opozita ka paralajmëruar se më 17 shkurt, në ditën e Pavarësisë, do të mbajnë protestë kundër Qeverisë.

Por, Asllanaj thotë se zgjidhjet s’duhet të kërkohen në rrugë por në institucione derisa thotë se LDK e PDK duhet të jenë më të përgjegjshme karshi tri partive opozitare.

“Gjithsesi, sjellja e pozitës duhet të jetë më e përgjegjshme karashi opozitës. Pozita duhet të jetë më bashkëpunuese me opozitës për t’i dhënë hapësirë për te gjetur zgjidhje”, ka shtuar ai.

Kuvendi i Kosovës po vazhdon të jetë i bllokuar nga protestat e Vetëvendosjes, AAK’së e NISMA’s, të cilat po kërkojnë anulimin e marrëveshjeve për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe për demarkacionin.

Edhe në këtë pikë, Asllanaj thotë se duhet të zgjidhja duhet të kërkohet në institucionet e jo në rrugë.

“Zgjidhjet duhet të gjendjen në institucionet, të cilat janë ndërtuar me sakrificën e gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka shtuar ai.

LDK dhe PDK kanë nisur një fushatë për ta bërë Thaçin President deri në fund të muajit shkurt, qysh e parasheh edhe marrëveshje e koalicionit mes këtyre dy partive. Një pjesë e deputetëve të LDK’së kanë paralajmëruar bojkotim të seancës kur do të votohet Presidentit për të pamundësuar kuorumin  në Kuvend.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/asllanaj-ldk-e-ka-kryeministrin-ska-arsye-te-jete-kunder-thacit-president/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala