Ashpërsohet debati mes Vuçiqit dhe Musliut për librat shkollorë (Foto)

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryeministri serb Aleksandar Vuçiq ka thënë sot se vlerëson se nuk është në rregull që fëmijët dhe qytetarët në Serbi të mësojnë nga librat e mësimit në të cilët shkruhet se Adem Jashari është hero kombëtar dhe të cilat mbajnë simbolin e Republikës së Kosovës.

Vuçiq pas hapjes solemne të ndërtesës së re për nevojat e Departamentit të Fakultetit Ekonomik të Suboticës, ka thënë se inspekcionet kompetente dhe organet e shtetit do të sjellin vendimin për çështjen e librave mësimorë në gjuhën shqipe, të cilët vijnë nga Kosova.

Më parë, Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Jonuz Musliu në këtë hapje solemne, para fjalimit të kryeministrit Vuçiq, është ngritur nga publiku dhe ka pyetur se kur do të vijnë librat mësimorë në gjuhën shqipe, raporton tanjug, transmeton lajmi.net

Ai ka treguar edhe dokumentet në të cilët, mes tjerash, në gjuhën shqipe shkruante “duam libra”, dhe ka folur me zë të lartë, ndërsa Vuçiq iu përgjigj: “Vetëm se e ngrit zërin, nuk do të thotë që ke të drejtë”, dhe e ka porositur që librat mësimorë të mos maten me kilogramë dhe kamionë, por me kualitet.

Më pas, Vuçiq ka bërë përpjekje që ta hedh poshtë kërkesën e Musliut, duke u thënë gazetarëve se ai nuk po kërkon libra në gjuhën shqipe, por po kërkon libra në të cilat shkruhet se Adem Jashari është hero kombëtar dhe libra të cilat kanë simbole të Republikës së Kosovës.

“Nëse ju mendoni se është në rregull që fëmijët dhe shtetas të Serbisë të mësojnë nga ato libra, atëherë ma thoni. Unë nuk mendoj ashtu”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq: Hajde Jonuz, thuaje, do të pres, pse po bërtet?

Kryeministri serb Aleksandar Vuçiq ka hyrë në një dialog të paplanifikuar me Jonuz Musliun, Kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve.

“Thuaje Jonuz. I nderuari Jonuz, fakti që bërtet, nuk do të thotë që ke të drejtë. Decibelët e tonit të zërit tënd janë në kundërshtim me argumentet që po i përdor”, i ka thënë Vuçiq Musliut.

Mediet serbe shkruajnë se gjatë momentit të fjalimit të Vuçiqit, Musliu ka bërtitur duke përdorur fjalë shqipe deri në momentin kur Vuçiq ka ndaluar fjalimin e tij.

“Çfarë ke Jonuz, çka po bërtet”, ka pyetur Vuçiq.

Slide

“Besoj që nuk mendon se jam frikësuar nga ti”, ka vazhduar Vuçiq.

Për fjalët e Musliut asnjë medium serbe nuk shkruan, me arsyetimin se gazetarët nuk kanë mundur t’i dëgjojnë saktë fjalët e Musliut, por në fotografi shihen parulla që Musliu mbanë në duar, duke kërkuar librat shkollorë që po mbahen në pikat kufitare që lidhin Kosovën me Luginën e Preshevës, transmeton lajmi.net

Pas vazhdimit të fjalimit të Musliut, për të cilin nuk ka informacione të sakta nga mediet serbe, në fund Vuçiq i tha se e ka kuptuar gjithçka që ka folur, dhe e ka lutur që të ulet.

“Mirë Jonuz, të kuptova gjithçka që ke thënë. A mund të të lus të ulesh tash?”, i ka thënë Vuçiq.

Krejt në fund ai e ka porositur se librat nuk mund të ‘arrestohen’.

“Librat nuk mund të arrestohen, Jonuz”, dhe më pastaj u është drejtuar studentëve me mesazhe për të mësuar.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ashpersohet-debati-mes-vuciqit-dhe-musliut-per-librat-shkollore-foto/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala