Ashpërsimi i kritereve lë pa asistencë sociale 5 mijë familje

Autori:Avdyl Pajaziti

Janë afër 30 mijë familje me mbi 120 mijë anëtarë, të cilat marrin asistencë sociale nga buxheti i Qeverisë së Kosovës. Mirëpo, krahasuar me vitin e kaluar kjo shifër ka shënuar rënie, pasi që numri i familjeve që ka marrë asistencë sociale në Kosovë, ka qenë mbi 35 mijë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) numri i familjeve që përfitojnë ndihma sociale në tremujorin e dytë të vitit 2015 (TM2 – 2015) ka qenë 26,947 dhe është zvogëluar për 2,825 familje, krahasuar me Tremujorin e dytë të vitit 2014.

Zvogëlimi i numrit të familjeve që marrin ndihma sociale nuk është reflektim i përmirësimit të gjendjes ekonomike dhe sociale në Kosovë, por disa familje janë larguar nga kjo ndihmë pasi që nuk iu ka takuar. Vetëm për një muaj rreth 500 familje aplikojnë për herë të parë për asistencë sociale në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).

Zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) e pranojnë se kjo rënie e përfituesve të ndihmës sociale nuk është rezultat i një përparimi ekonomik të Kosovës, por i ashpërsimit të kritereve për përfitues të ndihmave sociale. Mirëpo, ata thonë se ka edhe një mori arsyesh të rënies së numrit të shfrytëzuesve në skemën e ndihmës sociale.

Fehmi Ibrahimi, udhëheqës i Divizionit të ndihmave sociale në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka thënë për KosovaLive se arsyet për rënien e numrit të shfrytëzuesve të ndihmave sociale, sipas tij, janë të shumta. Ndër to ai ka përmendur aprovimin dhe zbatimi i Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemën e ndihmës sociale në Kosovë ka mundësuar që disa kritere dhe kushte të këtij Ligji të shënjestrojnë më lehtë familjet e varfra, ndërsa të diskualifikojë ato të cilat nuk e meritojnë të jenë shfrytëzuese të ndihmave sociale.

Po ashtu, aprovimi dhe zbatimi i Udhëzimit administrativ për përllogaritjen e të mirave materiale dhe jo materiale, si dhe të hyrave të llogaritshme dhe jo të llogaritshme u ka mundësuar ekipeve verifikuese të qendrave për punë sociale që të bëjnë skanimin e saktë të gjendjes socio-ekonomike të familjeve që kanë aplikuar apo ri-aplikuar për ndihmë sociale.

“Futja në funksion e bazës së re të të dhënave për skemën e ndihmës sociale, e cila akoma është në fazën testuese, duke i krahasuar të dhënat e shfrytëzuesve të skemës së ndihmave sociale me skemat tjera brenda MPMS-së në vazhdimësi është duke identifikuar dhe gjetur persona dhe familje të cilat përveç ndihmës sociale shfrytëzojnë edhe ndonjë skemë tjetër.

Ngjashëm me këtë, MPMS-ja çdo muaj i krahason të dhënat e saja edhe me Administratën Tatimore të Kosovës, me ç’rast identifikohen anëtarët e këtyre familje se përveç ndihmës sociale ata janë edhe tatimpagues në të hyra të ndryshme financiare.

Sforcimi i mekanizmave të kontrollit dhe mbikëqyrjes në të gjitha nivelet ka bërë që në vazhdimësi të largohen familjet të cilat janë identifikuar dhe gjetur si shfrytëzues të ndihmës sociale, jashtë kritereve ligjore”, ka shpjeguar Ibrahimi.

Për realizuar të drejtën në ndihmë sociale, sipas tij, të gjithë anëtarët e familjes duhet të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, përjashtimisht edhe shtetasit e huaj të cilët kanë leje qëndrimi, personat në cilësinë e azilkërkuesit, në cilësinë e refugjatit dhe personat të cilët gëzojnë mbrojtje të përkohshme dhe plotësuese dhe t`i plotësojnë kushtet për kategorizim në njërën prej kategorive si:

Kategoria e parë – familja në të cilën të gjithë anëtarët e familjes janë të varur dhe asnjëri prej tyre nuk është i punësuar dhe kategoria e dytë – familja me një anëtar të aftë për punë, me të paktën një fëmijë nën moshën 5 vjeç apo që kanë në përkujdesje të përhershme një jetim nën moshën 15 vjeç.

“Familjet e të dy kategorive për të përfituar ndihmën sociale, nuk duhet të kenë në pronësi më shumë 0.5 hektar tokë dhe të hyra dhe të mira materiale të llogaritshme. Shuma mujore e ndihmës sociale për një familje përcaktohet në bazë të numrit të anëtarëve të familjes. Kjo i bie që personi i vetëm – familja një-anëtarësh merr 40 € në muaj (minimalja) dhe familja me 15 anëtarë (maksimalja) për një muaj merr 120 euro në muaj.

Përveç ndihmës bazë, familja që është shfrytëzuese e ndihmës sociale për çdo fëmijë të moshës 0-18 vjeç merr edhe nga 5 € në muaj. Veç kësaj, Qeveria e Kosovës që nga viti 2005 -2014 në emër të subvencionimit të energjisë elektrike për familjet në skemën e ndihmës sociale dhe skemën e FDIL-së ka ndarë nga 4.5 milionë €, ndërsa çdo familje në këto dy skema janë subvencionuar deri 400 KË energji elektrike në muaj”, ka thënë Ibrahimi.

Varfëria e përgjithshme në Kosovë vlerësohet të jetë ende e lartë, e cila mbetet si një problem kronik si shkas i shkallës së lartë të papunësisë në Kosovë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) në vendin tonë janë diku gjysmë milioni banorë që jeton me 1.72 euro në ditë, ndërsa rreth 12% jetojnë me më pak se një euro në ditë, apo 217 mijë kosovarë. Ndërsa, shuma mujore e ndihmës sociale, për një familje sillet nga 40 euro minimalja në 120 euro maksimalja.

ndiham sociale

Varfëria e përgjithshme në Kosovë ka arritur afër 30%, kurse varfëria ekstreme kalon 10 përqindëshin. Për të gjetur një zgjidhje për zbutjen e gjendjes së rëndë sociale, shumë familje alternativë të vetme kanë ndihmat sociale nga shteti. Vlerësohet se askush nuk do të dëshironte që të merrte ndihmë sociale që qeveria ua ofron, por janë të detyruar që ta marrin një gjë të tillë, për shkak të të ardhurave të ulëta dhe pamundësisë se gjetjes së vendeve të punës.

Të gjitha të dhënat tregojnë se Kosova vazhdon të mbetet vendi më i varfër në Evropë me të ardhura për kokë banori më të ulëta se në vendet për rreth.

Ndërsa, në një hulumtim që ka bërë Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), ishte theksuar se vlera mujore e asistencës sociale nuk përshtatet me nevojat e familjeve në bazë të madhësisë apo strukturës së tyre.

UNDP kishte rekomanduar që të behet rishikimi i formulës për llogaritjen e përfitimit për familje të ndryshme në bazë të madhësisë dhe strukturës së familjes, në mënyrë që asistenca sociale të jetë e mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e shportës minimale të ushqimit.

Profesori universitar i ekonomisë, Musa Limani, vlerëson se zvogëlimi i numrit të familjeve që marrin ndihma sociale nuk guxon të bëhet, përkundrazi duke marrë parasysh gjendjen sociale dhe papunësinë që sillet diku 50%, e cila vetëm sa e ngrit problemin social dhe nuk e zvogëlon.

“Prandaj nuk e di arsyen e zvogëlimit të familjeve që marrin ndihma sociale dhe mendoj se duhet të jetë e kundërta duke u nisur nga fakti se diku 60% e popullatës së përgjithshme të Kosovës është në kufijtë e varfërisë. Nuk ka arsye as logjike, politike e as shoqërore që të zvogëlohet ky numër. Ne kemi raste shumë të rënda të cilat raportohen përmes mediave në Kosovë të cilat janë të trishtueshme. Ndihma sociale prej 70 eurove është e pamjaftueshme për një familje, e cila nuk i përmbush nevojat as për bukë, e lëre për diçka më shumë”, ka potencuar Limani.

Sipas tij, duhet që të bëhet një analizë komplekse edhe e problemit të pagës minimale dhe të skemës sociale ashtu si është realiteti. Limani thekson se edhe përkundër që ASK del me të dhëna, siç thotë ai, joreale se norma e papunësisë është 30% është e pajustifikueshme dhe e papranueshme.

“Në anën tjetër Banka Botërore jep shifrat e normës së papunësisë mbi 45%, por unë them se është mbi 50%. Prandaj kjo e rrit problemin e çështjes sociale, nuk e zvogëlon. Duhet një analizë komplekse në shumë burime për ta treguar se cila është e vërteta rreth kësaj çështje”, ka theksuar Limani.

Edhe 15 vite pas përfundimit të luftës harta sociale nuk ka ndryshuar shumë. Shkalla e papunësisë dhe varfërisë vazhdon të mbetet e lartë, përderisa këtë vit është periudha kohore kur Republika e Kosovës duhet të përmbush objektivat për Zhvillim të Mijëvjeçarit, që kanë për qëllim ta ulin dukshëm varfërinë globale.

Në tre vitet e fundit rritja ekonomike e Kosovës ka qenë vetëm 2.5% dhe është katër herë më e ulët se vendet e ndryshme të zhvilluara. Me trendin e tanishëm të kësaj rritje ekonomike, Kosovës do t’i duhet pesë shkallë të tjera për të arritur mesataren e standardit evropian. /KosovaLive/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ashpersimi-i-kritereve-le-pa-asistence-sociale-5-mije-familje/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala