Asfalti i Kosovës

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë investimet kryesore nga autoritetet kompetente, janë fokusuar në ndërtimin e rrugëve publike, nacionale, rajonale dhe auto-udhëve.
Sipas të dhënave zyrtare në territorin e Republikës së Kosovës ka gjithsejtë 2003 kilometra rrugë, shkruan Evropa e Lirë.
Ndërtimi i infrastrukturës rrugore, për ekspertë të kësaj fushe, ka qenë i domosdoshëm, sepse gjendja e rrugëve në Kosovë ka qenë e shkatërruar, por që, sipas tyre, është dashur të klasifikohen rrugët me interes, kurse ndërtimi i tyre të realizohet me një cilësi më të lartë dhe vazhdimisht të bëhet mirëmbajtja e tyre.
Ilir Berisha, drejtor i departamentit në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, thotë se sipas të dhënave për vitin 2014, nga 2003 kilometra rrugë, 94 për qind janë të rrugë të asfaltuara, kurse 6 për qind rrugë të paasfaltuara.
“Në bazë të Drejtorisë së Rrugëve të Kosovës, në vitin 2014 janë evidentuar 2003 kilometra, nga to të asfaltuara janë 1883 kilometra – kurse të paasfaltuara janë 120 kilometra”, bën të ditur Berisha.
Nga kjo gjatësi, në kategorinë e rrugëve katër për qind janë auto-udhë, rrugë nacionale – 31 për qind, kurse 65 për qind janë rrugë rajonale.