Arsyetohet QKUK: Rasti i djeshëm nuk ishte emergjent

Autori:Gazeta Fjala

Pas rastit të djeshëm, i cili u publikua nga KosovaPress, ku shihet një pacient i komunitetit rom në QKUK, i cili sillet më shumë se një orë në klinikë duke kërkuar ndihmë dhe askush nuk i ndihmoi, deputeti nga radhët e komunitetit rom, Kujtim Pacaku, së bashku me zëvendësministrin për Komunitete dhe Kthim, Jollxhi Shala, vizituan sot QKUK-në.

Me të arritur në emergjencë, sigurimi i QKUK-së, krijoi një problem të vogël, duke mos lejuar brenda hyrjen e kameramanit dhe gazetarit të KosovaPress-it.

Me ardhjen e drejtorit të përgjithshëm të QKUK-së, Curr Gjocaj dhe drejtorit të klinikës emergjente, Basri Lenjani, të cilët sot gjendeshin në pushim, filloi edhe kërkimi i raportit për rastet e djeshme, pasi që për pacientin në fjalë, askush nuk kishte informacione.

Fillimisht u tha se raporti për atë pacient mungon, por nuk vonoi shumë dhe raporti u sigurua. Në atë raport, thuhej se pacienti kishte qenë i rrahur. Po ashtu, u tha se këtij pacienti i është ofruar shërbim ambulantiv dhe ka vazhduar trajtimin në shtëpi.

Informacione të hollësishme, pos emrit, mbiemrit dhe vendbanimit, nuk u dhanë për pacientin, por Lenjani tha se ky nuk ka qenë ndonjë rast me rrezik jetësor.

Deputeti Kujtim Pacaku, edhe pasi mësoi se pacienti është në gjendje të mirë dhe po vazhdon trajtimin në shtëpi, nuk ngurroi të ankohet për sjelljet e pahijshme të personelit të QKUK-së, të cilët nuk e morën parasysh të sëmurin për më shumë se një orë.

Pacaku: Nuk është rast i komunitetit rom por i kosovarit

“Ajo që ndodhi nuk duhet të merret si rast i komunitetit rom, assesi. Ky është rasti i kosovarit. Edhe unë si deputet i popullit do të luftoj deri në maksimum për çdo rast të qytetarit të Republikës së Kosovës, qoftë në emergjencë, qoftë në polici, punëdhënie…mezi arritëm te një informatë, e cila sado pak flet diçka që pacienti kishte marr shërbimin ambulator dhe është dërguar në shtëpi. Nuk mbaron këtu puna. Puna fillon në atë pritje që e dëshmuat me një pamje prej një minute…shohim mantelbardhët që nuk i ofruan ndihmë.

A janë punëtorë administrativë, a mjek, atë ne nuk duhet ta komentojmë aspak…ka pasur shumë reagime të shikuesve, jo vetëm të popullatës rome, por të qytetarëve tjerë të Kosovës. Me drejtorin Curr Gjocaj, sado pak arritëm ta kristalizojmë gjendjen momentale, sepse kuptuam se zotëri (Kurtiq), i cili është nga Fushë Kosova, kishte rrahje…kjo është shkelje klasike e të drejtave të njeriut”, tha Pacaku.

I mendimit se nuk po gjykohet rasti për komunitet rom, por për çdo lloj komuniteti, ishte edhe zëvendësministri i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, Jollxhi Shala. Ai për KosovaPress, tha se së bashku me deputetin Pacaku do ta vizitojnë pacientin në fjalë.

“E kam parë dhe menjëherë kemi reaguar. S’do të thotë ai që është i komunitetit rom, por pa marr parasysh, si zëvendësministër, çdo komuniteti që do të jetë do të reagoj. Kë shtu që e falënderoj edhe drejtorin gjeneraledhe drejtorin e shërbimit emergjent…na kanë ardhur në ndihmë…kam kërkuar të më informojnë për të dhënat e tyre, të dimë sigurt ku po shkojmë dhe në cilin repart ta kërkojmë…pacienti në fjalë paska qenë i rrahur, nëse është ai pacient, se ende nuk e dimë, por ne do të shkojmë ta vizitojmë atë pacient…këto parregullsi, të mundohemi së bashku me qytetarë e me gjithë stafin, që këto raste të mos ndodhin më. Dje ka qenë i komunitetit, çdo minutë mund të vijë nga komunitete tjera”, tha Shala.

Kurse, drejtori gjeneral i QKUK-së, Curr Gjocaj, për rastin në fjalë u arsyetua se ka qenë rast ambulantor, andaj edhe është lënë pak anash, duke u dhënë prioritet rasteve urgjente dhe emergjente.

“Ju e patë, ne sot mezi e g jetëm emrin, sepse edhe deputeti edhe kolegët nuk e kishin emrin, thjeshtë kishte ardhur nga informata e mediave. Ka pas shumë vizita dje dhe ne përafërsisht mundëm të vijmë deri tek të dhënat e pacientit në fjalë. E patë që pacienti ka marr trajtimin e nevojshëm, pacienti nuk është cilësu si rast që duhet të shtrohet. Kjo nënkupton që ka marr shërbim ambulator….rasti në fjalë nuk ka qenë fare në klinikën emergjente, është dërguar në një klinikë tjetër për ekzaminim plotësues që është vërtetuar se e ka marr…është për të përmendur edhe një rast tjetër pikërisht në atë kohë. Kemi informata me drejtorin e emergjencës se ka pas disa politrauma dhe mjekët kryesor, madje kanë qenë të paktë në numër për shkak të politraumave të mëdha që ka pas dhe gjithmonë në këto raste, mjekët e shërbimit emergjent janë të detyruar që të merren me rastin më të rëndë”, tha Gjocaj.

Ed he Basri Lenjani, drejtori i Klinikës Emergjente, tha se në emergjencë pranohen rastet me prioritet më të madh. Sipas tij, për rastin në fjalë janë marr të gjitha masat e nevojshme nga ana e QKUK-së.

Lenjani po ashtu u ankua se QKUK ka staf të pamjaftueshëm, prandaj është shumë e mundur që në vazhdimësi të ballafaqohen me raste të tilla.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/arsyetohet-qkuk-rasti-i-djeshem-nuk-ishte-emergjent/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala