Arsyet që nxisin mbipeshën

Autori:Avdyl Pajaziti

Nëse jeni mbi peshë, kjo do të thotë që merrni më shumë kalori sesa digjni, por zgjidhja nuk është numërimi i kalorive.

Zgjidhja gjendet, më së shumti, te lloji i ushqimit që konsumoni dhe sa shpesh e bëni këtë. Hapi i parë për të rënë në peshë është të zbuloni se përse konsumoni shumë ushqime të gabuara. Ja disa nga arsyet e mundshme:

Rekomandimet për dietën. Është vërtetuar tashmë që këto rekomandime çojnë në shtimin e peshës. Në rekomandimet nga dietologë të ndryshëm përfshihen ushqime që kanë pak yndyrë dhe shumë karbohidrate të thjeshta, si dhe prodhimet e bulmetit, të cilat çojnë në shtim peshe dhe jo rënie të saj. Yndyrat e mira na ushqejnë dhe parandalojnë urinë e parakohshme.

Stresi. Të qenët në ankth ose i stresuar shkakton gjithashtu shtim peshe, sepse kur jeni të stresuar trupi prodhon një substancë të quajtur kortizol, që nxit urinë e pakontrolluar dhe tejngrënien.

Mërzia. Mungesa e jetës aktive mund t’ju bëjë të hani më shumë për të shtyrë kohën dhe kjo mund të çojë në shtim peshe.

Vetmia, trishtimi dhe depresioni. Këto janë shkaqe të shpeshta të shtimit në peshë. Shumë njerëz hanë për të lehtësuar trishtimin. Ky është një rreth vicioz, pasi, nga ana tjetër, ushqimet jo të shëndetshme shtojnë trishtimin dhe depresionin. Për më tepër, disa nga ilaçet kundër depresionit dhe ankthit japin efektin anësor të shtimit në peshë.

Media. Televizioni dhe filmat reklamojnë një elegancë të paarritshme, që, sipas gjykimit tim prej mjekeje, shprehet Alexa Fleckenstein në librin “Magjia e ujit” arrin në kufijtë e anoreksisë. Njëkohësisht, ata na bombardojnë me reklama ushqimesh jo të shëndetshme, duke i hapur rrugë ndjenjës së turpit për trupin e pashëndetshëm. Sloganet, si “ju e meritoni”, ju mashtrojnë. Ju nuk meritoni obezitetin dhe sëmundjet.

Zakonet e këqija të ngrënies. Mosngrënia e vakteve (sidomos e mëngjesit) çon në ngrënie të tepruar gjatë ditës, si dhe në sulme drejt frigoriferit, në mesnatë.

Dietat për të rënë në peshë. Tashmë, thuajse të gjithë mjekët janë të mendimit se rënia në peshë si pasojë e dietës është e përkohshme. Në të tilla raste, thuajse gjithmonë do të rifitoni peshën e humbur e madje do të shtoni edhe më. Mungesat gjatë ditës do të shkaktojnë uri të pangopur dhe/ose neps për ushqimet e munguara.

Pesha. Vetë shtimi në peshë është arsye për shtimin në peshë – sa më shumë të hani, aq më të uritur do të ndiheni, për shkak të disa veprimeve kimike në trurin tuaj. Në ditët e sotme, dyqanet, frigoriferi dhe dollapët tuaj janë plot, ndaj mos u tundoni nga kjo teori.

Varësia nga ushqimi. Ne jemi të varur nga ushqimi, sidomos nga ato që mund të quhen “ushqimet qetësuese”. Jemi të prirë ndaj këtyre ushqimeve për shkak të kujtimeve të fëmijërisë dhe zakoneve të hershme në jetë, por këto ushqime janë kryesisht drithëra, yndyrë e bulmet dhe përmbajnë lëndë që sjellin efekte të pakëndshme, të ngjashme me ato të morfinës.

Ushqimet e gabuara. Këto ushqime ushqejnë bakteret e dëmshme në zorrët tuaja dhe, rrjedhimisht, ju shtyjnë të keni qejf ushqimet që ushqejnë bakteret e këqija, pra krijojnë një rreth vicioz.

Nëse po përpiqeni të bini në peshë, zëvendësojini tri vaktet e bollshme me katër-pesë vakte të vogla në ditë dhe mos hani sa herë të shihni ushqim. Nëse e keni të vështirë, shtoni nja dy zëmra – vakte pasditeje – (fruta ose perime të pagatuara).

Kujdes: përpara se të nisni aventurën e rënies në peshë, kërkojini mjekut t’ju kontrollojë kolesterolin e mirë dhe të keq, nivelin e sheqerit (testi i diabetit), homocisteinën dhe proteinën C – reaktive (tregues për sëmundje zemre) dhe funksionimin e tiroides. Kontrolloni edhe vitaminën B12. Nuk është asnjëherë e sigurt ta filloni një program për rënie në peshë pa lejen e mjekut.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/arsyet-qe-nxisin-mbipeshen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala