Arsyet përse e qara na bën mirë

Autori:Avdyl Pajaziti

A e mbani mend herën e fundit kur qatë? Kjo është një pyetje e vështirë, por jo sepse nuk mund ta mbani mend. Pyetja na kujton një eksperiencë personale dhe intime ose ndoshta një çast turpërues të shfaqjes publike të një emocioni.

Por përse na bën e qara të ndihemi të turpëruar? Nuk duhet të ishte kështu, pasi është një përgjigje krejt normale ndaj mjedisit tonë dhe është një nga format më të vjetra të komunikimit, së bashku me të qeshurën dhe buzëqeshjen. Mund të na bashkojë, të na tregojë se mbështesim njëri-tjetrin dhe të dërgojë sinjalin se diçka nuk shkon.

Pavarësisht nëse preferoni të qani në privatësi apo të tregoni ndjenjat tuaja në publik, e qara mund të jetë thelbësore në ruajtjen e shëndetit emocional. Por përse është kaq e rëndësishme?

Të mpreh fokusin

Ndonjëherë nuk e kupton se sa i/e mërzitur je rreth një situate, derisa fillon të qash. E qara, si një reagim emocional, mund t’ju ndihmojë të vini gjërat në perspektivë. Mund t’ju ndihmojë të kuptoni se kjo është e rëndësishme për ju dhe se duhet të merreni me këtë. Ndryshe mund të jetë shumë e lehtë për ta lënë mënjanë.

Sjell vëmendjen te ju

Megjithëse përpiqemi shumë, vjen një kohë kur nuk mund të shmanget shpërthimi dhe e qara përpara kujtdo tjetër. Pavarësisht nëse është një bashkëpunëtor apo një person i dashur, e qara përçon mesazhin se jeni të lënduar.

Njerëzit nuk arrijnë të lexojnë mendjen, pa pasur një lloj informacioni joverbal, ata mbase nuk arrijnë ta kuptojnë kurrë se me çfarë po përballeni ju. Sado që mund të jetë turpëruese, rezultati arrin t’ju bëjë të ndiheni më rehat. Të tjerët mund të ndryshojnë sjelljen e tyre ndaj atij që qan ose t’i japë një përqafim për të cilin ka shumë nevojë.

Ndiheni më mirë

Ka një shkencë pas arsyeve përse e qara na bën të ndihemi më mirë. Lotët që derdhim gjatë një shpërthimi emocional përmbajnë një vrasës natyror të dhembjes dhe disa kërkues besojnë se ata mund të përmbajnë edhe hormone të stresit gjithashtu.

Të prek

Nëse shohim një vepër arti, një film, dëgjojmë muzikë apo lexojmë një libër që na prek shumë, atëherë qajmë si një eksperiencë që mbahet mend. Mund të përfundojmë duke i harruar të gjitha emocionet artistike që kemi përjetuar në një çast të caktuar, por ato që na kanë bërë të lotojmë qëndrojnë me ne.

Për më tepër, ne mund të ndërtojmë një kujtim bazuar në aktin e të qarit. Për shembull, ne kujtojmë se kemi qarë për një film të caktuar dhe më pas kujtojmë se ishim me një partner romantik në një takim dhe kështu mbajmë mend edhe çfarë kishim veshur se si ishim ndier.

Gjuhë universale

Ndërsa nuk flasim të njëjtën gjuhë verbale si kulturat dhe rajonet e tjera, ka disa shenja të përbashkëta që i ndajmë si qenie njerëzore. Përkundrazi, ka edhe shenja universale të lumturisë dhe të kënaqësisë. E qara na ndihmon të kuptojmë tjetrin dhe mund të bashkojë popullatën njerëzore e të na japë një ide të vuajtjes së tjetrit.

Ne mund të jemi oqeane dhe kontinente larg, por mund të gjejmë rehati në faktin që ndajmë disa reagime të caktuara fizike si qenie njerëzore.

Shpreheni

Është e mundur që ta lidhim të qarën me turpin, sepse kur kujtojmë aktin, provokojmë mërzinë që kemi ndier në atë periudhë të veçantë të jetës. Nuk është e lehtë të largohesh prej këtyre emocioneve. Në vend që të mendoni rreth atyre që kanë shkaktuar të qarën, përqendrohuni te përfitimet që mund t’ju kenë ardhur nga çlirimi natyror i ndjenjave.

Kur kujtoni herën e fundit që keni qarë, mendoni se çfarë e solli situatën tuaj dhe se çfarë përgjigje emocionale kishte. Jini në sinkron me mënyrën si ju ka bërë të ndiheni dhe kuptoni më shumë nga vetja. Mos kini frikë të qani kurdo që keni nevojë. / Huffington Post

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/arsyet-perse-e-qara-na-ben-mire/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala