Arrestohet turkut në Rinas, tentoi të korruptojë policin

Autori:Gazeta Fjala

Policia Kufitare e Shqipërisë në Rinas ka arrestuar dje një shtetas turk për korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike, si dhe për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.

Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se në pranga përfundoi shtetasi Husamettin Yildiz, 40 vjeç, i lindur në Turqi e banues në Ferizaj të Kosovës. Sipas policisë, 40-vjeçari, më datë 16 janar 2015 është nisur nga Aeroporti i Stambollit për në Rinas me linjën e fluturimit “P. A.”, i pajisur me pasaportë turke dhe leje qëndrimi kosovare, shkruan Shekulli.

Ai shoqëronte një familje turke prej pesë anëtarësh. Sipas policisë, shtetasi turk, pasi ka kaluar kontrollin policor ka shkuar pas kabinës së punonjësit të Policisë Kufitare në Rinas dhe i ka futur në kabinën ku operonte katër qese që kishin brenda çanta dhe objekte makijazh femrash, duke i kërkuar favorin që të linte të kalonte pa probleme familjen turke prej pesë anëtarësh që ndodhej në radhë për regjistrim pas tij në kabinën e hyrjes për në Shqipëri. Punonjësja e policisë kufitare në vijim ka paraqitur kallëzim pasi ka rënë në kontakt me aktin e mitdhënies dhe tentativës për korruptim.

Nga hetimi në vijim rezultoi se Husamettin Yildiz ka shoqëruar me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit familjen e mësipërme që i ka marrë në dorëzim në qytetin e Stambollit nga dy shtetas Turq, dhe do t’i shoqëronte deri në Prishtinë në një hotel që njëri prej shtetasve turq kishte rezervuar për familjen.

Policia thotë se anëtaret e familjes turke deklarojnë se i kanë paguar në Stamboll shtetasit turk me emrin Haçi një sasi prej 5.000 euro që ai të gjente një person që do t’i çonte deri në Gjermani ku ishte edhe destinacioni i tyre final me motivin e kërkesës për azil dhe në vijim Haçi dhe një shtetas tjetër turk i kanë prezantuar me Husamettin Yildiz, i cili do të bënte shoqërimin e tyre. ndërkohë, për familjen turke u mor masa e “Refuzimit të Hyrjes në Kufi” dhe më pas janë kaluar në zonën e transitit të Aeroportit të Rinasit për t’u kthyer në drejtim të Aeroportit të Stambollit, Turqi.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/arrestohet-turkut-ne-rinas-tentoi-te-korruptoje-policin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala