Arrestohet shoqëruesi i Ballistit që pozoi me kallashnikov

36 vjeçari me inicialet A. M. që pozoi me kallashnikov në një fotografi të publikuar në Facebook, ndërsa ndodhej së bashku me Ismail “Ballist” Morinën dhe një person tjetër, është arrestuar sot pasdite nga Policia e Kosovës në Mitrovicë. Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi zëdhënësi i Policisë Rajonale të Mitrovicës Avni Zahiti.
I arrestuari A. M. në një fotografi ku shihet me Ismail “Ballist” Morinën dhe një person tjetër, pozoi me kallashnikov, ndërsa kjo fotografi pastaj u shpërnda në Facebook.
Ismail “Ballist” Morina pretendon se është pilotuesi i dronit me figurat e Ismajl Qemalit e Isa Boletinit dhe hartën e Shqipërisë Etnike që u lëshua në Stadiumin e “Partizanit” të Beogradit gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri më 14 tetor 2014.
Të arrestuarit policia ia konfiskoi një kallashnikov dhe dy karikatorë me fishekë.
Sipas zëdhënësit Zahiti, i arrestuari me inicialet A. M., pas intervistimit u lirua në procedurë të rregullt, ndërsa rasti i tij u iniciua si mbajtje nën kontroll, pronësi dhe posedim të paautorizuar të armëve.