Arrestohet në Shqipëri kosovari në kërkim ndërkombëtar për “pjesëmarrje në organizatë kriminale”

Shërbimet e Policisë Kufitare të Shqipërisë në pikën e kalimit kufitar të Morinës ka bërë të mundur arrestimin e një shtetasi të Kosovës, i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Sipas policisë, në pranga ka rënë shtetasi Ibrahim Rama 40 vjeç, i lindur dhe banues në Vushtrri.
Ai është ndaluar nga forcat e rendit për shkak se autoritetet policore të Belgjikës kanë lëshuar më 29 tetor një urdhër arresti ndërkombëtar ndaj tij, pasi akuzohet për “pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “grabitje me armë”, raporton Shekulli.
Policia bën të ditur se shtetasi i Kosovës është dorëzuar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Kukës, në pritje për t’u ekstraduar në Belgjikë.