Arrestohet në Prizren grupi që trafikonte femra për prostitucion

Autori:Zekirja Shabani

Në orët e hershme të së mërkurës, Policia e Kosovës ka arrestuar në Rajonin e Prizrenit, katër shtetas të Kosovës, katër të Shqipërisë, tre nga Serbia dhe një nga Rusia, me dyshime për trafikimit me njerëz dhe mundësimit të zhvillimit të prostitucionit.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në bashkëpunim edhe me njësitë tjera relevante policore, pas hetimeve të zhvilluara ka realizuar në Rajonin e Prizrenit operacion policor me emrin e koduar “Matrix-M”, gjatë të cilit janë kontrolluar një klub nate dhe dy hotele, si dhe janë arrestuar 12 persona të dyshuar.

Sipas policisë, të dyshuarit në bashkëpunim kanë arritur në mënyrë të organizuar të kryejnë veprat penale të trafikimit me njerëz, mundësimit të prostitucionit dhe të bashkëkryerjes, me qëllim të përfitimeve materiale të kundërligjshme.

Të dyshuarit e arrestuar janë: S. K.(1965), B. M. (1971), G. M. (1987), H. L. (1968), që të katër meshkuj, shtetas të Kosovës. Pastaj dy shtetas dhe dy shtetase të Shqipërisë, A. R.(1978), K. R. (1982), R. K. (1987) dhe F. P. (1996), tri femra, shtetase të Serbisë, D. M. (1984), M. K. (1983) dhe J. Z. (1987), si dhe një shtetase ruse, T. K. (1975).

Gjatë këtij operacioni, sipas policisë, janë konfiskuar si prova materiale tri vetura, një tabletë, dy sim kartela, dy USB, tri CD, 12 telefona mobil, 1.185 euro pare, libra regjistri, fatura dhe dokumente tjera të nevojshme si prova materiale për rastin.

Personat e dyshuar në bazë të urdhrit të prokurorit janë dërguar në mbajtje policore për 48 orë për vazhdim të procedurave të mëtutjeshme gjyqësore.

Policia gjithashtu ka identifikuar gjatë këtij aksioni edhe një viktimë të trafikimit, një shtetase e Shqipërisë, të cilën pas intervistimit në prezencë të mbrojtësit të viktimave, i është ofruar strehim sipas ligjit dhe procedurave nacionale për viktimat e trafikimit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/arrestohet-ne-prizren-grupi-qe-trafikonte-femra-per-prostitucion/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala