Arrestohet Liburn Aliu, reagojnë Vetëvendosje dhe Muhamet Selmani

Autori:Avdyl Pajaziti

Është arrestuar Liburn Aliun, drejtor i Urbanizimit në Komunën e Prishtinës.

Atij i është caktuar masa e arrestit prej 48 orësh. Lajmin për KTV-në e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha pa dhënë shumë detaje.

Aliu është përfshirë në një rrahje me asambleistin e PDK-së, Muhamet Selmani në një restorant të qytetit. Ai që nga pasditja është marrë në pyetje nga Policia ndërkaq arrestimin e tij e ka urdhëruar prokurorja kujdestare që është marrë me rastin.

Deklarata për ngjarjen ka dhënë në Polici edhe asmableisti Selmani.

Ai në një postim në facebook ka bërë të ditur se këtë rast ia ka lënë në dorë organeve të drejtësisë.

Arrestimi i Liburn Aliut bërë nga Policia e Kosovës ka nxitur edhe reagimin e Lëvizjes “Vetëvendosje”. Sipas këtij subjekti, policia po hesht krimin urbanistik duke arrestuar drejtorin që po e lufton këtë krim.

“Me këtë akt, dëshmohet edhe njëherë instrumentalizimi i Policisë së Kosovës për interesa të politikave ditore të partive në pushtet, që arrestojnë kësisoj njeriun i cili po e lufton krimin urbanistik në Komunën e Prishtinës, krim ky tradicional përgjatë 15 viteve të udhëheqjes së LDK-së me këtë Komunë”, thuhet në komunikatën e VV-së.

Reagimi i plotë i VV-së:

“Policia hesht krimin urbanistik, arreston Drejtorin që po e lufton këtë krim

Policia e Kosovës ka arrestuar sonte Drejtorin për Urbanizëm, Ndërtim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Prishtinës, Liburn Aliun, lidhur me rastin për të cilin u akuzua sot.

Me këtë akt, dëshmohet edhe njëherë instrumentalizimi i Policisë së Kosovës për interesa të politikave ditore të partive në pushtet, që arrestojnë kësisoj njeriun i cili po e lufton krimin urbanistik në Komunën e Prishtinës, krim ky tradicional përgjatë 15 viteve të udhëheqjes së LDK-së me këtë Komunë. Për më tepër, arrestimi i Drejtorit Liburn Aliu i del në mbrojtje provokatorëve të cilët për interesat e tyre të ngushta personale e partiake, duan që krimi urbanistik të vazhdohet edhe më tutje në Komunën e Prishtinës.

I bëjmë thirrje Policisë së Kosovës që ta lirojë menjëherë Drejtorin Aliu, dhe që bashkë me gjykatat t’i hetojnë dhe t’i arrestojnë sa më parë të gjithë të përfshirët nëpër dosjet që tashmë Liburn Aliu i ka dorëzuar para organeve kompetente, dhe që lidhen direkt me kaosin urbanistik të cilin po e lufton ai. Luftën ndaj krimit urbanistik në Komunën e Prishtinës, nuk mund ta ndal më askush.

10 prill 2015

Lëvizja VETËVENDOSJE!”

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/arrestohet-liburn-aliu/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala