Arrestohet Drejtori i Spitalit të Gjilanit

Pikërisht ditën që ka dhënë dorëheqje, Drejtori i Spitalit të Gjilanit Abdylatif Latifi, është arrestuar nga Policia e Kosovës, raporton Zëri.
Kjo është konfirmuar nga burime të gazetës “Zëri” në Spitalin e Gjilanit, sipas të cilave burime, Latifi është arrestuar për shkak se kishte lejuar në kundërshtim me ligjin të asgjësoheshin ilaçe të skaduara të këtij spitali.
Ndërkohë zëdhënësi i Policisë në rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani as nuk ka pohuar e as mohuar arrestimin.
“Ky informacion është në verifikim e sipër”, ka thënë Hashani.
Por, burime në Policinë e Gjilanit, kanë thënë se të arrestuar janë A. Latifi, drejtor i dorëhequr në Spitalin e Gjilanit, E. Rexha, shef i barnatores qendrore në Spitalin e Gjilanit, Q.Azemi, shef i shërbimit teknik në këtë spital, I. Isaku, punëtor në impiantin për asgjësimin e mbetjeve farmaceutike.
Sipas këtyre burimeve, ky grup i dyshuar për keqpërdorim detyre, kanë bërë asgjësim ilaçesh në kundërshtim me ligjin. “Ata kanë asgjësu jashtë procedurave.”, ka thënë burimi i gazetës në Polici.
Curr Gjocaj, drejtor i Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës ka thënë se nuk ka informacione për arrestimin e drejtorit që sapo ishte dorëhequr. /ZËRI/