Arrestohet 18-vjeçari, i dyshuar për vjedhjen e 30 mijë eurove

Pas disa hetimeve të zhvilluara, policia e sektorit rajonal të hetimeve në Ferizaj, ka arrestuar 18-vjeçarin D.M. si të dyshuar në lidhje me rastin e veprës “vjedhje e rëndë”, të ndodhur më 9 tetor në fshatin Manastirc.
I dyshuari D.M. kishte hyrë në një shtëpi dhe nga aty kishte arritur të merrte kasafortën e metaltë në të cilën kishte pasur 24.300 euro para dhe stoli ari në vlerë pre 6 mijë eurosh.
“Pas intervistimit, i dyshuari e ka pranuar në tërësi veprën e kryer, si dhe janë gjetur dhe kthyer pronarit sasia e stolive të arit, si dhe shuma e parave të vjedhura, nga të cilat kanë munguar 3.600 euro”, ka thënë togeri i policisë Agim Gashi.
Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 24 orëve dhe ai është dërguar në Qendrën e Ndalimit në Ferizaj.