Arrestimi i Kadaj-Bujupi antikushtetues ?

Autori:Avdyl Pajaziti

Arrestimi dhe paraburgimi i deputetes së AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, është vlerësuar si antikushtetues dhe antiligjor, për shkak të imunitetit që ka deputeti.

Madje, njohësit e çështjeve kushtetuese ka thënë se organet e drejtësisë do të duhej të kërkonin sqarime nga Gjykata Kushtetuese dhe të mos nguteshin me arrestimin e deputetes opozitare. Ata thonë se Kushtetuta e përcakton qartë se deputeti i Kuvendit nuk mund të arrestohet përderisa është duke kryer detyrat e tij si deputet, pa pëlqimin e shumicës së të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka thënë për “Zërin” se shumë veprime që po ndodhin rreth nesh po dëshmojnë se institucionet e shtetit, duke përfshirë edhe Prokurorinë dhe gjyqësorin, madje edhe Odën e Avokatëve, kanë një deficit të madh profesional. Pasi, sipas tij, në të kundërtën nuk do të ndodhte arrestimi i deputetes së AAK-së.

“Sikur të kishim ekspertë të mirë, njohës të Kushtetutës, të ligjeve edhe të Kodit Penal të Kosovës, as fletarresti, as ndalimi e dënimi nuk kanë guxuar të ndodhnin. Deputetët kanë imunitet me Kushtetutë e me Ligjin për Deputetët. Kështu siç është bërë arrestimi, është antikushtetues dhe antiligjor. Deputetët nuk kanë imunitet për ndjekje penale, por kanë imunitet që të mos ndalohen dhe arrestohen në mënyrën si është vepruar me deputeten, Kadaj-Bujupi”, ka vlerësuar Krasniqi.

Madje, sipas tij, do të duhej të kërkohej edhe sqarim nga Gjykata Kushtetuese rreth imunitetit të deputetes. Sipas ish-kryeparlamentarit të Kosovës, imuniteti i deputetit nuk vlen vetëm në akuzat për krime lufte. /Zëri/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/arrestimi-i-kadaj-bujupi-antikushtetues/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala