Arminka Heliq, gruaja që po e tmerron Serbinë

Autori:Avdyl Pajaziti

Baronesha me prejardhje boshnjake dhe njëra nga shtatë baroneshat e vetme në Dhomës e Lordëve, po konsiderohet si iniciatore e Rezolutës për gjenocidin e Srebrenicës, e cila pritet të sillet për votim në KS të OKB-së, së shpejti.

Heliq di shumë për Bosnjën dhe Ballkanin, ndërsa ka këshilluar William Hague kur ku ka qenë ministër i Jashtëm dhe kur është marrë me rajonin tonë. Ajo i ka dhënë shumë leksione edhe Angelina Joelit kur kjo e bëri filmin e saj për luftën e Bosnjës. Për krejt këto, Heliq po llogaritet si gruaja e cila është duke e tmerruar Serbinë.

Serbia është duke u dridhur nga frika këto ditë. Dhe nuk janë vetëm bisedimet e vështira me Prishtinën në Bruksel, që mbahen nesër, e ku Beogradit pritet t’i kërkohet të lëshojë pe në shumë gjëra, arsye për këtë.

Ndoshta më e rëndë se çështja e Kosovës, për Serbinë, është rezoluta për gjenocidin e Srebrenicës, që pritet të sillet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, nga Britania e Madhe, së shpejti.

Nëse ajo kalon, atëherë Serbia dhe serbët do të identifikohen si shteti dhe kombi që kryen gjenocid, duke e bërë vetën epiqendër të imazhit më të keq të mundshëm ndërkombëtar, për shkak të autorësisë së krimeve më të rënda të mundshme të luftës, ndaj boshnjakëve myslimanë, transmeton Klan Kosova.

E kjo rezolutë, ka për iniciator një autore të fshehtë, emri i të cilës nuk u bë i ditur deri dje.

Newsweek e Beogradit pretendon se e gjeti atë. Bëhet fjalë për Arminka Helic, një baroneshë misterioze me prejardhje boshnjake, njofton Klan Kosova. Ajo është vetëm njëra nga gjithsej shtatë femrat në dhomën e lordëve të parlamentit britanik.

Ajo besohet se pati ndikim të madh pse Londra vendosi ta propozojë rezolutën për gjenocid të Srebrenicës.

Heliq ka njohuri të shumta për luftën e Bosnjës dhe masakrën e Srebrenicës, duke qenë se ka qenë e përfshirë në disa forma në këtë luftë.

Për shkak të njohurive të saj, ajo, më 1998, u angazhua nga konservativët si eksperte e Ballkanit. Më vonë arriti të shndërrohet në “njërën nga ekspertët me impresivë të politikës së jashtme në qeveri”.

Për shkak të angazhimit të madh, por diskret, kryeministri David Cameron e nominoi atë për Dhomën e Lordëve. Më 2014 Heliq u emërua baroneshë (pa të drejtë trashëgimie familjare), nga mbretëresha Elizabetë, për shërbimet e shumta ndaj mbretërisë. Kjo i mundësoi asaj që me 24 nëntor 2014 të bëhet pjesë e Dhomës së Lordëve, si e treta femër myslimane që mbërrin këtu nga kampi konservativ.

Heliq aktualisht është duke e këshilluar liderin e Dhomës së Përfaqësuesve në parlamentin britanik, Willuam Hague. Për të, më herët ka punuar edhe si shefe e kabinetit, derisa ai ishte sekretar shteti.

Ajo njihet edhe si bashkëpunëtore e ngushtë e aktores Angelina Jolie. Kjo e fundit, që bëri edhe film për luftën e Bosnjës, e ka quajtur Heliqin si mentore të saj, duke qenë se i ndihmoi shumë për ta kuptuar situatën në Bosnjë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/arminka-heliq-gruaja-qe-po-e-tmerron-serbine/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala