Arabët njoftojnë për projektin e spitalit të fëmijëve

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani me bashkëpunëtorë priti sot përfaqësues të Emirateve të Bashkuara Arabe, të shoqëruar nga zyrtarë nga Presidenca e Kosovës, me të cilët është biseduar për projektin e spitalit të ri kirurgjik-pediatrik që do të ndërtohet në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Ky donacion është në vlerë prej 22 milionë eurove dhe dhurohet nga Sheika Fatima Bint Mubarak e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ministri Rrahmani ka falënderuar edhe një herë EBA për këtë kontribut të drejtpërdrejt në forcimin e shërbimeve shëndetësore për fëmijë në Kosovë, duke theksuar se një spital i tillë do të ndihmojë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Qeverinë e vendit në realizimin e prioriteteve që lidhen me shëndetin e nënave dhe fëmijëve në Kosovë.

Ai ka falënderuar gjithashtu presidenten Jahjaga për angazhimet në arritjen e marrëveshjes për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për shëndetësinë në Kosovë.

Përfaqësuesi i EBA, Mamad Hazaabi, tha se EBA dhe Sheika Fatima Bint janë të përkushtuara në realizimin e projektit.

Në takim, këshilltari i lartë për Kualitet dhe Monitorim në Autoritetin Shëndetësor të EBA, dr. Dirk Richter, ka prezantuar detaje teknike të projektit, i cili pritet të përmbyllet në dhjetor të vitit 2017, kur parashihet të nisin edhe operacionet e para në spitalin që do të ndërtohet, raporton KP.

Gjithashtu, delegacioni nga EBA njoftoi ministrin se EBA kanë ndarë tash edhe një donacion ne vlerë prej 200 mijë eurove për pajisje mjekësore për nevojat e institucioneve shëndetësore të Kosovës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/arabet-njoftojne-per-projektin-e-spitalit-te-femijeve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala