Apeli e lë të lirë Sabit Gecin

Autori:Avdyl Pajaziti

Me një vendim të lëshuar nga Gjykata e Apelit, i dënuari për krime lufte, Sabit Geci, për tre muajt e ardhshëm do të jetë tërësisht i lirë. Ai nuk është ndaluar të dalë as jashtë Kosovës e madje as të ketë paraqitje publike para medieve. Gjykata vendimin e ka marrë të premten e javës së kaluar, pas ankesës së mbrojtjes, e cila i kishte paraprirë caktimi i masës së arrestit shtëpiak nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.

Kjo e fundit i kishte caktuar arrest shtëpiak disa ditë pasi Geci me vendim të zëvendësministrit të Drejtësisë, Lirak Qelaj, më 3 tetor ishte liruar nga burgu me arsyetimin se i duhet trajtim mjekësor. Ndaj këtij vendimi kishte reaguar prokurori i misionit EULEX, Darius Silicki, i cili në ankesën e tij kishte potencuar se Sabit Geci ka qenë i akuzuar në rastin “Drenica” dhe për këtë rast “ende nuk ka vendosur shkalla e dytë”.

Ankesa e Prokurorisë kishte bërë që pavarësisht vendimit të zëvendësministrit Gecit t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak, masë e cila është shfuqizuar nga një vendim i Gjykatës së Apelit, përkatësisht nga një panel i gjyqtarëve i përbërë nga dy gjykatës ndërkombëtarë dhe një vendor.

Mbrojtja e Sabit Gecit, avokati Haxhi Millaku, ka bërë me dije se klienti i tij është liruar ngase i nevojitet trajtim mjekësor jashtë vendit dhe sipas Millakut, klienti i tij tashmë i ka kryer disa analiza në një spital në Shqipëri dhe është në pritje të rezultatit të tyre./Zeri/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/apeli-e-le-te-lire-sabit-gecin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala