Anulohet koncerti për nder të Amerikës

Autori:Avdyl Pajaziti

Kosova fillimisht kishte injoruar rastet sporadike të përfshirjes së shqiptarëve në xhihadin islamik në Siri dhe Irak. Por, më vonë u kuptua që situata po bëhej shqetësuese. U tha se një ditë ata mund të kthehen nga atje dhe të kryejnë sulme në Kosovë. Këtë rrezik tani e kanë konfirmuar edhe institucionet e sigurisë në Kosovë. Pikërisht nga rreziku i ndonjë sulmi të mundshëm terrorist, nesër nuk do të ketë koncert në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, në shënim të Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve.
Nesër është përvjetori i pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe që nga koha e çlirimit prej Serbisë, Kosova ka shënuar këtë ditë me një koncert të madh në sheshin qendror të Prishtinës, si shenjë mirënjohje për lirinë e fituar me ndihmën e këtij shteti të themeluar më 4 korrik të vitit të largët 1776, pas ndarjes zyrtare nga Britania e Madhe.

Por, 16 vjet pas çlirimit dhe 7 vjet pas shpalljes së pavarësisë, shqiptarët e Kosovës duket të kenë filluar të harrojnë ndihmën amerikane, dhe një pjesë e tyre, nga aleatët më besnik në botë të SHBA-ve, po kalojnë në anën e armiqve Perëndimit.

Vlerësohet se rreth 200 shqiptarë të Kosovës, luftojnë përkrahë militantëve të Shtetit Islamik, dhe nga atje kanë kërcënuar se do të kryejnë sulme edhe në Kosovë e Shqipëri.

Lajmi.net, ditë më parë duke u thirrur në burime brenda policisë së Kosovës, kishte raportuar se autoritetet e sigurisë në vend kanë siguruar informacione se xhihadistë shqiptarë të përfshirë në luftën e Sirisë dhe Irakut, po përgatisin sulme terroriste në Kosovë.

Objektiv i tyre po dyshohet se janë tubimet që përfshijnë numër të madh të njerëzve.

Një i objektiv i tillë mund të ishte edhe koncerti i 4 Korrikut, kushtuar përvjetorit të Pavarësisë së SHBA-ve, që tradicionalisht mbahet në sheshin qendror të Prishtinës, edhe për faktin se ai i kushtohet vendit të cilin ISIS e konsideron si armikun kryesor. Dhe për këtë po shqyrtohej anulimi i këtij koncerti.

Ndërsa sot, lajmi.net, ka mësuar se përfundimisht nesër nuk do të ketë një koncert të tillë, dhe asnjë aktivitet tjetër, në shënim të kësaj dite.

Komuna, Qeveria apo kushdo tjetër nuk kanë paraparë asgjë. Nuk japin shpjegim, por thonë se nuk ka asnjë njoftim nga askush të ketë kërkuar ndihmën apo pjesëmarrjen e tyre.

Zëdhënësja e komunës, Miranda Mollafazliu, ka thënë për lajmi.net se Komuna nuk ka planifikuar asnjë koncert për këtë ditë.

Miranda Mullafazliu

“Komuna nuk ka planifikuar asnjë koncert për këtë ditë”, tha Mullafazliu, e që sipas saj, nuk ka pasur njoftim apo kërkesë nga askush tjetër për ndonjë organizim në shesh.

Ndërsa zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi thotë se ministria e Kulturës këtë vit nuk kanë organizuar diçka të tillë, ndërsa në vitet e kaluar, kurdo që ka ndodhur, ka qenë vetëm mbështetje nga ana e tyre.

“Ministria e Kulturës nuk ka organizuar diçka për atë ditë, sikur edhe më parë që nuk ka organizuar. E këtë vit askush nuk është ofruar që të kërkoj mbështetje financiare për ndonjë organizim të ngjashëm”, ka thënë ai për lajmi.net.

Ky koncert tradicional zakonisht transmetohej nga Radio Televizioni i Kosovës, e edhe ata thonë se këtë vit nuk kanë ndonjë kërkesë për transmetim.

Liridon Cahani, nga RTK, thotë se nuk kanë asnjë kërkesë për ndonjë transmetim më datë 4 korrik.

Pohon se nuk e di çfarë ka ndodhur, kur pyetet nëse ka pasur organizime vitet e kaluara dhe nga kush.

“Sa di unë nuk ka asnjë kërkesë deri më tani. Nuk e di çfarë ka ndodhur në të kaluarën”, ka thënë ai për lajmi.net.

Se nesër nuk ka koncert në Prishtinë, e konfirmon edhe Policia e Kosovës. Ata thonë se nesër nuk ka ndonjë aktivitet të veçantë në kryeqytet.

Policia e Kosoves

Florije Ahmeti Haziraj, zyrtare për media në Policinë e Kosovës për rajonin e Prishtinës, ka thënë për lajmi.net, se asnjë kërkesë apo njoftim nuk kanë pranuar deri më 3 Korrik për diçka të ngjashme.

I vetmi njoftim, ka qenë aktiviteti i organizuar nga vet Ambasada Amerikane në Kosovë, që është mbajtur më 2 korrik pasdite.

Lajmi.net ka raportuar edhe ditë më parë se Policia e Kosovës ka ngritur shkallën e mobilizimit në pikën më të lartë, duke aktivizuar policinë civile, e cila ka për obligim identifikimin eventual të elementëve të rrezikshëm, duke mos rënë në sy.

Përveç mobilizimit nëpër gjithë qytetet e vendit, Policia e Kosovës, ka marrë urdhër për kujdes të veçantë përreth dhe në objektet shtetërore, siç janë Kuvendi, Presidenca, Qeveria dhe ministritë.

Mobilizimi i Policisë së Kosovës, mund të vërehet edhe nga masat që kanë ndërmarrë pjesëtarët e rendit gjatë patrullimit nëpër qytet. (lajmi.net)

– See more at: http://lajmi.net/goditja-e-pare-e-isis-it-ne-kosove-neser-ska-koncert-per-ameriken-ne-sheshin-e-prishtines/#sthash.kSglSK0b.dpuf

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/anulohet-koncerti-per-nder-te-amerikes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala