“Anti-Mafia” sekuestron 31 milionë euro pasuri të paligjshme

Autori:Avdyl Pajaziti

Lëvizja FOL me përkrahjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, ka mbajtur sot konferencën me temën Konfiskimi i pasurisë në Kosovë – puna një vjeçare e institucioneve.

Hajredin Kuçi, Ministër i Drejtësisë tha se Kosova ka një bazë legale për konfiskimin e pasurisë dhe se ligji aktual për konfiskim e zëvendëson në një formë ligjin anti-mafia.

“Ministria e Drejtësisë do të amandamentoj Ligjin për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale në mënyrë që barra e provës të bie mbi zyrtarët e lartë publik”.

Gjithashtu  Ministri Kuçi tha se është duke u krijuar një Fond për kompensimin e viktimave të krimit. Sipas Kuçit, Kosova ka ligje të mira por ka nevojë të punohet më shumë në zbatimin e tyre dhe këtu ka disa shkarje sepse fokusi është më shumë në dënimin e personit se sa në konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurisë së tij.

Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike  Shqipdon Fazliu, tha se shifra e sekuestrimeve gjatë vitit të kaluar ka shënuar rritje të dukshme në krahasim me vitet tjera.

“Janë sekuestruar pasuri deri në 31 milionë euro ndërsa janë konfiskuar pasuri në vlerë prej rreth 1 milion euro”, tha Fazliu, duke shtuar se nevojitet kohë për të prodhuar rezultate konkrete në konfiskimin e pasurisë.

Ariana Qosaj-Mustafa nga KIPRED tha se shpresoj se disa iniciativa që u premtuan do të ndërmerren sepse ka vite që është punuar shumë në mënyrë që të kemi rezultate më të mira në praktikë.

“Ka 15 vite Kosova ka jetuar në një vakum ku është fol shumë për pasurimin e paligjshëm por nuk është bërë asgjë, sepse ka pasur pasurim të shpejt të politikanëve në krahasim me pagat që i kanë pasur për këto çështje ka pasur edhe analiza të shumta”, tha Qosaj-Mustafa.

Sipas saj, përveç deklaratave se do të luftojmë korrupsionin duhet të bëjmë më shumë që të kemi një sistem gjyqësor më efektiv.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/anti-mafia-sekuestron-31-milione-pasuri-te-paligjshme/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala