Anëtarët e Komisionit për Mësim të Senatit avancojnë jashtëligjshëm kolegen e tyre! (Dokument)

Autori:Avdyl Pajaziti

Nuk janë vetëm komisionet vlerësuese që kanë shkelur Statutin e UP-së, të njëjtën gjë po e bëjnë edhe anëtarët e ekipit të rektorit Ramadan Zejnullahut, madje i gjithë stafi i rektorit Zejnullahu është në heshtje për këtë rast. Në mbledhjen e Komisionit për Mësim të mbajtur para disa ditëve, Komisioni për Mësim bënë shkelje të Statutit me vetëdije të plotë.

ORAinfo ka tentuar t‘i kontaktojë disa anëtarë të komisionit ( Fetah Podvorica dhe Eda Vula ), megjithatë që të dy nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet që ju kemi bërë. Komisioni për Mësim ka shqyrtuar dokumentacionin e stafit akademik nga Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore, dhe sipas burimeve të ORAinfo vetëm tre profesorë kanë fituar thirrjen e profesorit të rregullt.

Burimet e ORAinfo brenda departamentit të kimisë tregojnë që kandidatja Sevdije Govori nuk i plotëson kushtet për thirrjen e profesorit të rregullt, saktësisht nuk e plotëson pikën 1.2.7 të nenit 175. Për ta fituar thirrjen e profesorit të rregullt kandidati ose kandidatja duhet të ketë udhëheqje të temave master dhe të doktoratës.

Madje, Komisioni për Mesim e ka interpretuar këtë pikë në këtë mënyrë:

“Kandidati për profesor të rregullt duhet t’i ketë udhëhequr deri në përfundim të suksesshëm të paktën një kandidat në temë të doktoratës dhe një numër kandidatësh në tema të masterit“. Po ashtu, në fund të interpretimeve komisioni ka dhënë këtë vërejtje:

“Komisioni për mësim konsideron se secili kandidat për profesor të rregullt duhet t’i plotësojë të shtatë kriteret e lartshënuara. Në rast të mosplotësimit të të gjitha këtyre kritereve nga ana e kandidatëve që mbajnë thirrjen e profesorit të asocuar rekomandohet zgjedhja sërishmi në thirrje të njëjtë akademike. Komisioni nuk do ta procedojë në Senat asnjë propozim për profesor të rregullt nëse nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme për plotësimin e secilit prej kritereve akademike të lartshënuar“.

Siç duket pika 1.2.7 ju është kërkuar vetëm profesorëve që nuk janë kolegë me ndonjërin nga prorektorët e UP-së, sepse në referatin e komisionit vlerësues, kandidatja Sevdije Govori nuk paraqet dëshmi që ka udhëhequr( mentoruar) ndonjë kandidat për doktoraturë. Në faqen e universitetit ku janë publikuar doktoraturat nuk figuron emri i kandidates që ka udhëhequr ndonjë student të doktoratës. ORAinfo ka mësuar se Sevdije Govori është kolege e prorektorit për shkencë Fetah Podvorica , madje ky i fundit e ka arsyetuar kandidaten që ka qenë “komentore“ ne dy tema te doktoratës.

Megjithatë, kjo nuk paraqet dëshmi për ta arsyetuar plotësimin e pikës 1.2.7. Statuti i UP-së e njeh vetëm “mentorin“, askund në Statut nuk permendet termi “komentor“. Për më shumë, kandidatja Arlinda Damoni në temë të doktoraturës askund nuk e veçon se prof. Sevdije Govori ka qenë komentore e saj, ajo falenderon për sugjerime disa profesorë, e në mesin e tyre edhe kandidaten Sevdije Govori, por, kjo nuk është dëshmi që kandidatja Sevdije Govori ka udhëhequr kandidaten Arlinda Bytyqi Damoni. Ngjashëm është rasti edhe me kandidaten Arleta Rifati Nixha.

Vlen të veçohet se kandidatja ka paraqitur në aplikacion një libër në gjuhë të huaj, megjithatë, në CV-në e kandidates dhe në hulumtimin që kemi bërë nuk figuron askund se kandidatja ka nje libër të tillë. Mbetet të shihet se sa do të jetë vigjilent rektori Zejnullahu me rastin e marrjes së vendimit për kolegët nga Fakulteti i tij. /ORAinfo/ret

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/anetaret-e-komisionit-per-mesim-te-senatit-avancojne-jashteligjshem-kolegen-e-tyre-dokument/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala