Zvogëlimi i numrit të studentëve në UP, favorizon privatët

Autori:Gazeta Fjala

Nita Pocesta jeton në Gjilan, por studimet për stomatologji ajo do t’i nisë së shpejti në Universitetin Shtetëror të Tetovës në Maqedoni.

Një vendim të tillë ajo është detyruar ta marrë pasi që nuk ka arritur të regjistrohet në Universitetin e Prishtinës.  Shkak për mosregjistrim ishte bërë zvogëlimi i ndjeshëm që i është bërë numrit të studentëve që do të pranohen në këtë vit akademik në institucionin më të madh të arsimit në vend.

Por, ajo është vetëm njëra nga shumë maturantë të tjerë që kanë vendosur që studimet e tyre t’i nisin në kolegjet private, qoftë brenda Kosovës apo edhe në vendet fqinje.

“E kuptoj plotësisht përpjekjet që po bëhen për rritjen e cilësisë në arsim. Por, argumentet si mungesa e hapësirës, mungesa e stafit apo tregu i punës nuk duhet të jenë dënuese për studentët dhe cenuese ndaj të drejtës për arsimin e lartë,” thotë ajo.

“Fatkeqësisht, unë jam një ndër kandidatët për student që kanë mbetur jashtë UP-së për shkak të këtij zvogëlimi të numrit të studentëve”.

Vendimi për zvogëlimin e numrit të studentëve që do të fitojnë të drejtën e studimit në UP ishte marrë në korrik të këtij viti nga Ministria e Arsimit.  Vendimi ishte arsyetuar se ishte marrë për shkak të mungesës së kushteve dhe hapësirave që ofron ky universitet.

Për pasojë, afër tre mijë studentë më pak janë pranuar këtë vit akademik krahasuar me vitet e kaluara.

Gazeta Fjala ka tentuar që të marrë përgjigje nga Ministria e Arsimit rreth numrit të studentëve që kanë aplikuar këtë vit në kolegjet private në vend si  dhe ndikimit që ky vendim ka pasur në rritjen e numrit të studentëve që do të vijojnë studimet në këto kolegje, por deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Gjatë javës së kaluar, dhjetëra kandidatë të papranuar në Fakultetin e Mjekësisë, përfshirë edhe Nita Pocestën, kishin protestuar para rektoratit të UP-së kundër uljes së kuotës për regjistrim në këtë fakultet.

Përveç vendimit të Ministrisë së Arsimit për zvogëlim të numrit në korrik të këtij viti, ata u përballen edhe me një vendim të Rektorit Ramadan Zejnullahu për ulje të kuotës në fakultetin në fjalë.

Privatet zhvasin studentët, nuk ofrojnë cilësi

Studimet në kolegjet private në vend kushtojnë dukshëm më shtrenjtë se ato në Universitetin Hasan Prishtina.  Për më tepër, këto kolegje kritikohen se nuk ofrojnë cilësi të duhur për studime universitare.

Saranda Pajaziti nga Klubi Politik i Studentëve (KPS), fajëson qeveritë e Kosovës që sipas saj, kanë dështuar të krijojnë kushtet adekuate për studim në sektorin publik në vend.

“Fajin për gjendjen e rëndë të arsimit në përgjithësi, e të universitetit në veçanti, e bartin qeveritë që bashkë me profesorët e partive degraduan universitetin. Tani pasojat i bartin të rinjtë e të rejat e vendit tonë, atyre që njëherë me hapësirën e mangët iu pamundësua studimi mirëfilli, e tash mungesa e hapësirës është bërë si privim nga e drejta për arsimim,” ka thënë ajo.

Edhe Pajaziti është e bindur se vendimi i Ministrisë së Arsimit për zvogëlimin e numrit të studentëve që regjistrohen në Universitetin e Prishtinës do t’i shërbejë më së shumti universiteteve private.

“Mungesa e një vendi pune apo aktiviteti tjetër i detyron shumicën e aplikantëve student që të shkojnë në këto institucione private.  E kur jemi te kolegjet private, shohim se ato ndër vite kanë pasur si qëllim më shumë zhvatjen e studentëve sesa që kanë prodhuar cilësi e seriozitet,” kashtuar ajo.

Ajo ka kërkuar që të bëhet rritja e buxhetit për arsimin e lartë “që do të nënkuptonte rritjen e hapësirës për studim, institute, përkthime, literature e jo skript”.

Që nga përfundimi i luftës, një numër i madh i universiteteve private janë hapur në vend.  Përveç kësaj, janë krijuar edhe universitete në disa qendra të Kosovës, por që janë kritikuar shpesh për mungesë kualiteti të arsimit./Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/zvogelimi-i-numrit-te-studenteve-ne-up-favorizon-privatet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala