Zvarritja e tenderit 5 milionësh për avio bileta

Autori:Gazeta Fjala

Agjencioni Qendror i Prokurimit publik si përfaqësues i 84 autoriteteve tjera shtetërore, nuk po arrin assesi të përmbyllë tenderin për bileta ajrore të udhëtimeve.

Tenderi me vlerën e rreth 5 milionë eurove, ka filluar që nga muaji mars. Por edhe pse tani është muaji tetor beteja mes agjencioneve turistike se kush do t`i furnizon zyrtarët e shtetit me bileta ende po vazhdon.

Fillimisht fituese, në qershor ishte shpallur kompania Eurokoha Reisen nga Prishtina. Ndërsa kundër saj dy kompani të pa kënaqura me procesin u ankuan në gjykatën e tenderëve.

Në fund të korrikut OSHP-ja pasi shqyrtoi ankesat e operatorëve që ishin eliminuar doli me vendimin. Se  kompania “Euro Sky Travel Club” i kishte plotësuar kriteret për të cilat thuhej se është eliminuar. Kurse ankesa e “Albatours VAS Touroperator” u refuzua si e pa bazuar.

Prandaj OSHP kërkoi nga Autoriteti Qendror i Prokurimit  të anulon tenderi. AQP e anulon njoftimi për dhënie të kontratës në fillim të muajit gusht ndërsa furnizimi me bileta shtyhet deri në shpalljen e fituesit të ri.

Fituesi i ri shpallet në gusht

Me 13 gusht AQP-ja e përmbyllë kontratën kornizë me një operator, në rivlerësim.

“Qëllimi i këtij aktiviteti është që të lidhet një kontratë kornizë me një Operator Ekonomik (OE) i cili do të ofronte shërbimet e rezervimit dhe lëshimit të avio-biletave për udhëtimet e zyrtare që do të autorizohen nga Autoritetet kontraktuese (AK) sipas listës së bashkangjitur në Aneks”, shkruan në njoftimin për dhënie të kontratës.

AQP zgjedh konsorciumin Altavia Travel Shpk-Prishtinë & As Travel Club me çmimin më të ulët.

Përsëri dy operatorë të eliminuar në këtë proces ushtruan ankesë në OSHP.

Gjykata e tenderëve në shtator shqyrtoi ankesat e tyre, ndër të tjera të dy kompanitë pretendonin se çmimi ishte jo normalisht i ulët nga operatori që u shpall fitues.

OSHP kishte refuzuar ankesën e kompanisë “Eurokoha” kurse i dha të drejtë “Euro Sky Travel Club”.

Për të parën eksperti i OSHP-së e vërtetoi se ajo kishte paraqitur një dokument jo origjinal. Kurse për të dytën ishte vërtetuar se ka plotësuar një kërkesë që ishte parashtruar, dhe aprovohej si pjesërisht e bazuar.

Megjithëkëtë paneli shqyrtues bazuar në ligjin e prokurimit tha se pavarësisht vendimit të tyre asnjëra nga kompanitë ankuese nuk kanë interes material lidhur me këtë aktivitet.

“Për shkak të çmimit më të latë ofruar, dhe asnjëra nuk mund të jetë nënshkruese e kontratës”, shkruan në vendim.

Në të njëjtën seancë ishte vërtetuar se autoriteti kontraktues mund të vazhdoj me procedimin e mëtejmë për këtë tender.

AKK gjenë shkelje të ligjit të prokurimit

Agjencioni Kundër Korrupsion pasi kishte përcjell të gjitha zhvillimet, i dërgon opinionin e saj Autoritetit Qendror të Prokurimit. Ajo i kërkon AQP-së që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të evituar shkeljet në ligjin e prokurimit.

AKK pas sigurimit të dokumentacionit rreth këtij tenderi kishte konstatuar se ka pasur vetëm një ofertë të përgjegjshme. Por sipas përshkrimit në opinionin e AKK-së zyrtari i prokurimit kishte vazhduar me procedurat duke e anashkaluar ligjin e prokurimit që thotë se duhet të jenë më shumë se dy oferta të përgjegjshme.

Megjithëkëto zhvillime OSHP e kishte kthyer në rivlerësim tenderin.

Edhe procedurat gjatë rivlerësimit sipas opinionit të AKK-së, kishte qenë e njëjta situatë me vetëm një ofertë të përgjegjshme. Por se edhe kësaj radhe zyrtari i prokurimit nuk e ka stopuar procedurën me arsyetimin se nuk ka pasur diskriminim dhe favorizim në këtë tender.

“Konsiderojmë se shpenzimet në kohë dhe para nga OE dhe AQP në përgatitjen e këtij tenderi janë të larta dhe parimi i parë i prokurimit siç është efikasiteti mund të dëmtohet nëse e ri tenderojmë”, kishte deklaruar zyrtari i prokurimit.

AKK ndër të tjera kishte gjetur edhe gabime teknike gjatë procedurës. Kështu ajo kërkoi që “shkeljet e tilla”, të mos lejoheshin duke rekomanduar anulimin e tij.

Pasi e merr këtë opinion Agjencia Qendrore e Prokurimeve Publike kërkon nga Organi Shqyrtues i Prokurimit që t`i mundësohet anulimi i njoftimit për dhënie të kontratës.

Por, OSHP javën e kaluar del në mbrojtje të AQP-së.

Në përgjigjen e saj të datës  15 tetor OSHP-ja, i kërkon shefit të prokurimit në Agjencinë Qendrore të Prokurimit që të mos e anuloj tenderin siç ka kërkuar Anti Korrupsioni, pasi që opinionin e AKK-së nuk e konsideron me peshe.

“OSHP-ja sqaron se opinioni i Agjencisë Kundër Korrupsion është vetëm një opinion i kësaj agjencie, e cila nuk ka kompetencë të shqyrtojë aktivitet prokurimi”, thuhet në vendimin e saj. /Gazeta Fjala/

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/zvarritja-e-tenderit-5-milionesh-per-avio-bileta/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala