Zonat e harruara ekonomike

Autori:Zekirja Shabani

Aq shumë u fol për zonat ekonomike vitin e kaluar në Kosovë sa u krijua përshtypja se Kosova do të tejkaloj Dubain me zhvillim ekonomik.

Por tani kur zgjedhjet kanë përfunduar dhe Qeveria ka përbërje të re, zonave të lira të premtuara në Mitrovicë, Gjakovë e Prizren ende nuk u shihen as themelet.

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë thonë se po punohet në zbatimin e vendimit qeveritar që mundëson krijimin e tyre.

Por, njohësit e ekonomisë janë skeptik se ky vendim do të zbatohet ndonjëherë dhe Kosova do të ketë hapësira ku mund të bëhet biznes me tasksa të veçanta që favorizojnë prodhimin.

“Vendimi për themelimin e zonave ekonomike, fillimisht në Mitrovicë dhe Gjakovë, më vonë edhe në Prizren, është marrë në kohën e euforisë parazgjedhore. Por, njëkohësisht  ish-kryeministri Hashim Thaçi, donte t’ia plotësonte dëshirën partnerit të tij të koalicionit- AAK-së, e cila kishte fituar pushtetin në Mitrovicë dhe në Gjakovë dhe kishte premtuar themelimine zonave të këtilla”, thotë Ibrahim Rexhepi, drejtor i Insitutit për Hulumtime Straategjike dhe Sociale – STRAS.

Ai thotë se vendimi është marrë paa përgatitje paraprake, madje edhe pa rrespektuar procedurat ligjore.

“Prandaj, si i tillë ai është vështirë i realizueshëm”.

Kjo, sipas tij do të jetë arsye që qeveria aktuale “pa dyshim  se do të rishikoj këto vendime, jo për anulimin e tyre, por që të implementohen më lehtë”, thekson Rexhepi.

Kreu i STRAS, vlerëson se fillimisht shpallja dhe licencimi i zonava ekonomike duhet të bëhet si e pecakton ligji, pra të jetë e definuar qartë edhe hapësira ku shtrihet ajo.

“Nuk mund të jetë e tërë komuna një zonë, ashtu si e ka shpallur qeveria e kaluar, meqenëse  zona duhet të ofroj tokë për ndërtimin e objeketeve, infrastrukturë, përkatesisht rrugë, pastaj ujë, kanalizim, energji elektrike…. Për këtë arsye, hapësira e definuar qartë dhe pa asnjë problem e kontest pronësore, mund të ofroj këto mundesi”.

Rexhepi thotë se për të arritur këto synime, duhet të hartohet edhe plani kombëtar për zonat ekonomike, kurse Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë duhet të nxjerr udhëzimin administrativ, me të cilin parasheh edhe lehtësitë fiskale për bizneset që vendosen në zonat ekonomike.

Edhe Drejtori i Instituit për Hulumtime Zhvillimore, Agron Demi vlerëson se sipas Ligjit për Zonat Ekonomike, para se të merret vendimi për shpalljen e zonave të lira ekonomike, duhet të ekzistoj një studim fizibiliteti.

“E Qeveria ka shkelur këtë ligj kur ka marrë vendim për shpalljen e zonave të lira, ngase nuk janë bëhen studimet e duhura. Përkundër kërkesave të dërguara në MTI, nuk ka pasur asnjëherë përgjigje për këto studime”, thotë Demi.

Si të tilla, sipas tij, duke u shtyer nga gara parazgjedhore, zonat e lira ekonomike kanë qenë të destinuara të dështojnë.

“Sot ne nuk e dim as shtrirjen gjeografike të këtyre zonave, lëre më detajet tjera”.

Në MTI- thonë se janë duke punuar ngushtë me të gjitha komunat e Kosovës për të ofruar kushte më të  mira për  investitorët potencial, si për ata të huaj ashtu edhe vendor.

“Sa i përket implementimit të zonave ekonomike në komunën e Gjakovës, Mitrovicës, dhe Prizrenit, vlen të theksohet se Komuna e Mitrovicës ka ndarë lokacionin prej 48 ha dhe ka marrë pëlqimin për krijimin e Parkut Industrial – Frashër, i cili është në kuadër të territorit të Mitrovicës. Komuna e Mitrovicës dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë gjatë vitit 2014 kanë nënshkruar marrëveshje bashkëfinancimi për ndërtimin e infrastrukturës së Parkut Industrial i cili ka filluar të ndërtohet”, thuhet në përgjigjen e MTI-së për Gazetën Fjala.

Mbështetje e njëjtë nga ana e MTI-së thuhet se është duke vazhduar edhe gjatë vitit 2015, me rregullimin e pjesërishëm të infrastrukturës, në këtë park do të filloj edhe vendosja e bizneseve.

“Ndërsa sa i përket Komunës së Gjakovës,  nga ana e tyre është përgatitur studimi i fizibilitetit rreth Zonës ekonomike në Gjakovë dhe është duke u punuar në definimin e pronës si dhe në kompletimin e dokumentacionit konform legjislacionit të Zonave ekonomike.

Kurse Komuna e Prizrenit, ka ndarë lokacionin për ndërtimin e Parkut te Biznesit dhe është në fazën e kompletimit të dokumentacionit. Deri me tani ka sjellur disa kopje te planit për ngastrat kadastrale dhe disa pëlqime, mirëpo ende nuk e ka kompletuar tërësisht dokumentacionin e nevojshmë të paraparë me legjislacionin e zonave ekonomike”, thonë në MTI.

Sipas zyrtarëve të këtij institucioni çdo vendim që është në fuqi zbatohet.

“Moszbatimi i tij është i mundshëm atëherë kur shfuqizohet me ndonje vendim tjeter”.

 

Benificionet e bizneseve në Zonat e Lira Ekonomike, rasti i Maqedonisë

Tatimi në fitimin e korporatave-0 (jashtë zonës 10 %)

Tatimi në të ardhura personale 0 (jashtë zonës – 10 %)

TVSH-ja- 0 · ( jashtë zonës 18 %)

Akciza 0 ( jashtë zonës 5-62 %)

Materialet për përpunim dhe pajisjet janë të liruara nga taksa doganore

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/zonat-e-harruara-ekonomike/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala