Zhvatësit e ministrisë së Tregtisë

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministrja Hykmete Bajrami e ish-ministri Bernard Nikaj, nëse për asgjë nuk do të mbahen mend në krye të Ministrisë së Tregtisë, ata do të kujtohen për mëditjet e majme e mijëra euro të paguara për udhëtime me taksat e qytetarëve.

Gazeta Fjala ka gjetur në shpenzimet e këtij institucioni se Nikaj mbanë rekordin për përfitimet nga meditjet për udhëtime zyrtare jashtë vendit, duke arritur që vetëm brenda një muaji të marrë mbi 9 mijë euro bazuar në tabelën e shpenzimeve të titulluar “Përfitimet nga mëditjet për ushëtime zyrtare jashtë vendit”.

Ndërkaq, Bajrami, e cila ende është në fillim të mandatit, deri më tani, për një muaj ka arritur të marrë në këtë kategori 2 mijë e 960 euro.

Dorështrënguar me paratë e shtetit nuk janë treguar as zëvendësministrat në vitin 2014 e as ata në 2015’ën, megjithatë duket se këtyre shumë pak u ka ardhur rendi të udhëtojnë jashtë vendit.

Të gjithë së bashku, për nga nëntë muaj pune, krerët e ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë kanë shpenzuar rreth 200 mijë euro, para të buxhetit për derivate, dreka e udhëtime me mëditje të majme.

Shpenzimet e kabinetit të ministres Hykmete Bajrami për reprezentacion, derivate, mëditje nga udhetimet jashte vendit, akomodim, shpenzime të telefonisë fixe dhe mobile, paga mujore, bileta të udhëtimit e shpenzime tjera të udhetimit zyrtare jashte vendit kapin shumën prej 41 mijë euro.

Por, këto janë për 52 mijë euro më pak se që kishte shpenzuar kabineti i ish ministrit Nikaj.

Bernard Nikaj sa ishte ministër bashkë me zëvendësministrat kanë shpenzuar hiq më pak se 94 mijë euro për nëntë muaj.

Gazeta Fjala ka siguruar listën e shpenzimeve të MTI-së për periudhën janar-shtator 2014 dhe këtij viti, në bazë të kërkesës për qasje në dokumentet publike.

shpenzimetGjatë kësaj periudhe sa ajo drejtohej nga Bernard Nikaj, i cili e zuri vendin e Mimoza Kusarit pas zgjedhjes së saj në krye të Gjakovës, shpenzimet më të mëdha janë bërë për udhëtimet jashtë vendit.

Në total ky institucion për ministrin dhe dy zëvendësministrat kanë harxhuar 39 mijë e 338 euro.

Prej kësaj shume Nikaj i vetëm ka harxhuar 32 mijë e 691. Kurse zëvendësi i tij, Cuneyd Ustaibo 7 mijë e 105 euro, ai vetëm në muajin mars në udhëtimet zyrtare ai ka harxhuar 6.163 euro.

Në ndërkohë që zëvendësi tjetër Avni Kastrati ka pasur vetëm një udhëtim jashtë vendi në muajin gusht 2014, për të cilin ishin shpenzuar 483 euro.

Nga totali i shpenzimeve të udhëtimit, vetëm për biletat e udhëtimeve atyre u kushtuan më shumë se 20 mijë euro.

Gazeta Fjala pati raportuar se si një biletë e Nikajt gjatë një udhëtimi në Japoni, kishte kushtuar 6 mijë e 800 euro. http://gazetafjala.com/bernard-nikaj-fluturoi-me-bilete-prej-6-800-euro-per-japoni/

Pak më pak sesa biletat atyre u kushtoi akomondimi gjatë udhëtimeve jashtë Kosovës – dikund 11 mijë euro.

Shpenzimet e Hykmete Bajramit  e Avni Kastratit

Edhe shpenzimet nëntë mujore të pasardhëses së Nikajt, Hykmete Bajramit sipas kësaj liste të siguruar nga Gazeta Fjala dalin të jenë të larta.

Ministrja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, për udhëtime të zhvilluara jashtë vendit prej marsit deri në shtator ka shpenzuar 8 mijë e 47 euro, ndërsa zëvendësi i saj Avni Kastrati nuk ka pasur asnjë udhëtim zyrtar, gjatë këtij viti.

Por, ai ia ka kaluar shefes së tij për sa i përket shpenzimeve të derivateve. Kastrati për nëntë muaj ka shpenzuar 3 mijë e 414 litra derivate kurse ministrja vet ka harxhuar 2 mijë e 85 litra.

Ndërkaq, drekat dhe darkat e kësaj ministrie për periudhën nëntë mujore të 2015-ës sjellin faturën prej 4 mijë e 979 euro. Vetëm ministrja  Hykmete Bajrami  ka shpenzuar 3 mijë e 500 euro. Për telefona gjatë kësaj periudhe ministrja dhe zëvendësi i saj shpenzuan 1 mijë e 505 euro.

 Super shpenzimet për derivatet, drekat e telefon

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, të larta gjatë vitit të kaluar i kishte edhe shpenzimet për derivate, dreka e shpenzime të telefonit fix e mobil.

Për periudhën nëntë mujore, faturat tregojnë shpenzimin prej 11 mijë e 615 litra karburate.

Prej tyre vetëm Nikaj ka shfrytëzuar 5 mijë e 518 litra. Ai më së shumti shihet se ka udhëtuar me veturë zyrtare gjatë muajit maj duke harxhuar 882 litra, ndërsa më së paku ka shpenzuar në muajin shkurt 378 litra.

Më shumë se 3 mijë litra ka shpenzuar edhe zëvendësministri Cuneyd Ustaibo, kurse Avni Kastrati gati 3 mijë.

Buxheti nuk u kursye as kur u bë fjalë për dreka e darka zyrtare.

MTI ka paguar 6 mijë euro për reprezentacion vetëm për ministrin vitin e kaluar. Derisa së bashku edhe zëvendësministrat për periudhën 9 mujore në vlerën e 9 mijë e 756 euro.

Nga shfrytëzimi i telefonave krejt ministria ka shpenzuar 2 mijë e 789. Ministri Bernard Nikaj 1 mijë e 36 euro. / Gazeta Fjala/.

shpenzimet 1 shpenzimet 2

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/zhvatesit-e-ministrise-se-tregtise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala