Zgjedhjet nuk e nxjerrin UP-në nga kriza

Autori:Gazeta Fjala

Universiteti më i madh publik pothuajse që një kohë të gjatë po përballet më disa probleme. Senati si organ kryesor qeverisës i tij nuk po funksionon që 4 muaj, ku si rrjedhojë e këtij paralizimi nuk është arritur të merret as edhe një vendim për UP-në.

E kjo gjë po e çon universitetin në zgjedhje të parakohshme, e cila po shihet si rruga e vetme e përmirësimit të situatës së krijuar, por jo edhe e duhura për të dalë nga kriza që është futur ky institucion tash e disa kohë.

Dukagjin Pupovci njohës i çështjeve arsimore është shprehur mjaft skeptik që zgjedhjet do e normalizojnë situatën së krijuar në UP.

“Në kushte të tilla, unë nuk i shoh zgjedhjet si rrugëdalje nga kriza që e ka kapluar universitetin…Vetëm në rast që stafi akademik ‘zgjohet nga gjumi’ dhe zgjedhë njerëz që mund ta bëjnë ndryshimin aq të nevojshëm në universitet, e jo servilë e individë me kredenciale të varfra ose edhe false akademike” ka thënë ai për Gazetën Fjala.

Sidoqoftë sipas tij zgjedhjet mbesin rruga e vetme për të rregulluar situatën e krijuar.

“Edhe pse zgjedhjet mund të mos e zgjidhin krizën, ato janë rruga e vetme për t’u zhbllokuar situata në universitet dhe për t’i dhënë një farë legjitimiteti organeve që e kanë humbur atë” ka thënë Dukagjin Pupovci.

Njëjtë mendon edhe Qendrim Gashi profesor në këtë universitet, i cili zgjedhjet i sheh si një hap drejt normalizimit vetëm atëherë kur këto të shoqërohen me një varg masash tjera.

“Duhet shfrytëzuar potencialin brenda dhe jashtë UP-së për ta zhvilluar një transformim rrënjësor të universitetit më të madh në vend dhe duhet ndërruar kuadri ligjor rreth UP-së (Ligji i Arsimit të Lartë, Statuti i UP-së, etj.), i cili veç është në procedurë ndryshimi nga MASHT”, ka thënë Gashi për Gazetën Fjala.

As studentët nuk kanë qëndruar pa bërë “zhurmë” , ata dolën shumë herë në protesta për ti shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me disa vendime të parit të UP-së Ramadan Zejnullahut rreth afateve dhe kushteve për provime.

Dukagjin Pupovci e ka një përgjigje edhe për këtë, sipas tij për fat të keq, në anën e së keqes janë vënë edhe përfaqësuesit studentorë, prej të cilëve, në çdo shoqëri normale, do të pritej e kundërta e asaj çfarë kanë bërë gjatë këtyre muajve.

Mirëpo ai mendon së tashmë ka ardhur koha që studentët të vendosin për të mirën e tyre.

“Këto zgjedhje duhet të tregojnë nëse përsëri studentët do të përfaqësohen nga argatë të grupeve të interesit apo nga njerëz që mendojnë për interesa më afatgjatë sesa zënia e ndonjë posti apo vendi të punës” ka thënë ai për Gazetën Fjala.

Ndërkaq Dokleat Kollari nga këshilli i studentëve ka treguar për vështirësitë me të cilat janë përballur si mungesë e mbledhjeve të Senatit dhe i cili shpreson që pas këtyre zgjedhjeve UP-ja të këndellet dhe ta rimarrë vetën.

“Ne si Këshill i Studentëve kemi ide që shumë probleme reale të studentëve të i dërgojmë edhe në rektorat, por shkaku i bllokimit të Senatit këto kërkesa nuk po dorëzohen aty”.

“Marrë parasysh faktin se një institucion si Senati të mos mblidhet për një kohë të gjatë për të diskutuar mbi problemet reale të universitetit e ka efektin e asaj që procesi i zhvillimit në kuptimin e përgjithshëm është stagnuar” ka thënë Kollari.

Kujtojmë së Këshilli Drejtues i UP-së kishte marrë vendim për shkarkimin e rektorit Ramadan Zejnullahu, por kjo kishte hasur në kundërshtimin e ministrit Arsim Bajrami, që kishte shkarkuar kryetaren e KD-së, Shefkije Islamajt, njëkohësisht kishte kërkuar nga rektori Zejnullahu që të qëndrojë në postin e rektorit, deri në hapjen e procesit të zgjedhjeve të parakohshme.

Zgjedhjet do të përfshijnë të gjitha organet e Universitetit, nga këshillat e njësive akademike, udhëheqësit e njësive akademike, Senatin, Këshillin Drejtues dhe shpalljen e konkursit për menaxhmetin e ri të Universitetit.

Me këto zgjedhje të parakohshme, mandati i Këshilli Drejtues po shkurtohet për dy vjet e gjysmë, ndërsa i të gjitha organeve të tjera për diç më shumë se gjashtë muaj.

Për vëzhgimin e këtij procesi zgjedhor në universitet Ministri i Arsimit , Arsim Bajrami ka bërë të ditur se do të ftohen edhe organizatat profesionale ndërkombëtare dhe nacionale./Gazeta Fjala

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/zgjedhjet-nuk-e-nxjerrin-up-ne-nga-kriza/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala