Xhevati bëhet bashkëpronar i Ministrisë së Diasporës

Autori:Avdyl Pajaziti

Xhevat Isufi ishte zgjedhur shef i Qendrës Kulturorë për Diasporën në Suedi. Për këtë merr gati 2000 euro në muaj pagë. Por, kjo duket se nuk i kishte mjaftuar.

Zyret e qendrës i kishte vendosur në shtëpinë e vet, për çka ministria i paguan mijëra euro qira në muaj. As kjo nuk e ngopi Xhevatin.

Zyrtarë nw Ministrinë e DIapsorës tregojnë se ai vendosi për këtë qendër që do të duhej të ishte njësi e shtetit të Kosovës, ta regjistrojë si Organizatë Joqeveritare dhe të bëhej vet pronar i sajë.

“Po, ka ndodhur një keqpërdorim në qendrën në Suedi, ku udhëheqësi pos që e ka marrë për zyre shtëpinë e vet e ka regjistruar edhe si OJQ komplet qendrën”, tha një burim i Gazetës Fjala brenda kësaj ministrie. “Kjo është evidentuar gjatë verifikimit të aseteve që bëri një komision i ministrisë që shkoi atje gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar”, tha ky burim.

Ministria ia mbanë anën Xhevatit, duke heshtur.

Lorik Pustina, Drejtor i Komunikimeve në këtë ministri nuk ka folur për Gazetën Fjala, edhepse i janë dërguar pyetjet me email. Nuk është përgjigjur as në format tjera të komunikimit.

Ndërkohë, ministria në vend që të ndërhynte ka bërë të kundërtën. Ia ka vazhduar kontratën kësaj qendre edhe për 1 vit. Pra, të paktën edhe gjatë vitit 2015 një pjesë e shtetit të Kosovës në Suedi do të quhet OJQ.

Në bazë të Ligjit për Mërgatën hapja e qendrës (QKKDM shkurtesa në ligj) jo vetëm që nuk mund të bëhej nga Xhevati, por as nga Ministria e Diasporës. Kjo e drejtë i takon vetëm Qeverisë së Kosovës. “Varësisht nga mundësitë buxhetore, Qeveria e Kosovës me propozimin e Ministrisë me vendim të veçantë, do të vendosë për themelimin e QKKDM-ve, në vendet me interes për diasporën dhe mërgatën, dhe për Republikën e Kosovës”, thotë pjesa e ligjit që merret me këto qendra.

Hapjen e qendrës në Suedi e kishte kundërshtuar edhe Unioni i Shoqatave Shqiptare që veprojnë në këtë shtet skandinav, duke pasur vërejtje për qytetin. “Ne pyesim: Pse u zgjodh Halmstadi, një qytet periferik në Suedi, për të qenë seli e kësaj qendreje? Në krahasim me qytetin e Malmës, numri i bashkëkombëseve dhe e i veprimtarive kulturo-sportive as që mund të krahasohet”, thuhet në reagim.

Kjo qendër kishte ofruar edhe zyret e veta pa pagesë në Malmo, përderisa ministria sipas këtij unioni ishte përcaktuar që t’i harxhonte paratë e shtetit për një garazh veturash në periferi të Halmstadit. Unioni ka kundërshtuar edhe zgjedhjen e udhëheqësit. “Ministria e Diasporës është përcaktuar për një mësues, i cili në fakt është shumë larg veprimtarive kulturore që zhvillohen në Suedi. Siç e kërkojnë normat ligjore, edhe për ata të punësuar duhet të shpallet konkurs. Njerëzit duhet të konkurrojnë dhe të zgjidhen më të merituarit”, thuhet në reagim.

Pos asaj në Suedi, Kosova ka edhe dy qendra tjera kulturore për diasporën, njëra në Turqi e tjetra në Zvicër. E para ishte hapur në Stamboll me 23 shkurt 2013.

Shteti i Kosovës e kishte marrë me seriozitetin më të madh, duke angazhuar disa ministra dhe zëvendëskryeministren e atëhershme Edita Tahirin, e cila mori pjesë në inaugurim. Ndërsa, marrëveshja për hapjen e e qendrës ishte nënshkruar nga Ministri i Diasporës në atë kohë, Ibrahim Makolli ambasadorja turke në Kosovë, Songul Ozan. Këto të dhëna hasen edhe në ueb sajtin zyrtarë të ministrisë. Por, e njëjta nuk ka shënuar asnjë informatë në lidhje me qendrën në Suedi, pos faktit se ajo ekziston.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/analiza/xhevati-behet-bashkepronar-i-ministrise-se-diaspores/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala